Opinion

Ndarja territoriale, çmim fatal në Ballkan

07/02/2018 11:03
nga:Burim Ramadani

Orvajtet e sërishme të Serbisë për të vendosur ndarjen territoriale të Kosovës si zgjidhje e problemit duhet parë si të pazbatueshme dhe destabilizimsjellëse. Preferenca e vjetër serbe në fakt ndarja territoriale është opsioni që fare nuk i duhet jo vetëm Kosovës, por tërë Ballkanit.

Opsioni i vjetër i preferuar për Serbinë tashmë vërehet se po vihet në sipërfaqe sërish, vite e dekada pas tentimeve të dështuara.

Porse, ndarja e Kosovës nuk është zgjidhje. Ajo në fakt është rifillimi i problemeve dhe destabilizimit në Ballkan, është hapje e një procesi për ridefinimin e kufijve në regjion dhe madje edhe vënien në pikëpyetje të ekzistencës së shteteve fqinje.

Orientimi i shqiptarëve në Ballkan asnjëherë gjatë historisë nuk ka qenë destabilizimi apo politikat shoveniste. E kundërta ka qenë përgjigjja e Serbisë edhe gjatë kohës së ish-Jugosllavisë. Shpërbërja e dhunshme e shtetit jugosllav ka treguar se Kosova ka qenë e vetmja njësi e federatës që ka tentuar dhe është angazhuar që të mos kontribuojë në valën e tmerrshme të dhunës. Kosova u përball me nevojën e luftës, si mjet i domosdoshëm për çlirimin e vendit. Ndihma e bashkësisë ndërkombatëtare në krye me SHBA-të doli të jetë vendimtare për të na mundësuar të jetojmë të lirë në Kosovë.

Orvajtet e sërishme të Serbisë për të vendosur ndarjen territoriale të Kosovës si zgjidhje e problemit duhet parë si të pazbatueshme dhe destabilizimsjellëse. Edhe në praktikat tjera është dëshmuar se opsioni i ndarjes është opsion i dhimbjeve, vështirësive, deportimeve apo transferimeve, koncentrimeve, krizave humanitare dhe problemeve ligjore. Kjo është pjesa e parë e shpjegimit të problemit të ndarjes së Kosovës. Do të thotë, në një rast të tillë do të kemi krizë humanitare të shpërnguljes së popullatës shqiptare dhe serbe nga njëra pjesë në trjetrën, do të kishim probleme me pronat e tyre dhe probleme të ngjashme. Porse, ky problem është shumë i vogël në krahasim me atë që do të mund të përballeshim nëse opsioni i ndarjes arrin të fitojë përkrahje më të gjerë. Duke e parë si të rrezikshme këtë skenar të mundshëm të zhvillimeve të ngjarjeve, besoj se është kruciale për vetë bashkësinë ndërkombëtare refuzimi me forcë i ndarjes së Kosovës, madje edhe i tentimeve të Serbisë për të vendosur në tavolinë e për të biseduar rreth saj në çfarëdo forme qoftë.

Organizimi i shtetit të Kosovës vetëm në një pjesë të territorit të saj nuk ka kuptim. Po ashtu, nuk kanë kuptim më as tri parimet prijëse të Grupit të Kontaktit. Kosova nuk do të mund të qetësonte frustrimin e qytetarëve që kanë humbur shumë në tërë këto dekada. Zërat për bashkimin në një shtet me Shqipërinë do të dilnin dita-ditës. Nuk do të mund ta ndërtonim asnjë njeri, madje as prej balte, që do të mund të argumentonte se shqiptarët në Ballkan nuk duhet të krijojnë një shtet të vetëm. Në një Ballkan të rivizituar kufijsh, stabiliteti ndoshta do të mund të arrihej, por çmimi për të do të ishte fatal. Fitore e Pirros do të mund të quhej kjo për të gjithë ballkanasit, duke e paguar këtë në mënyrë krejt më të veçantë.

06/13/2018 09:29

19 vjet liri