Lajme

Ndalohet nga Prokuroria për 48 orë mjeku nga Podujeva, i cili refuzoi t’i kryejë shërbimet pacientit të moshuar

04/15/2021 22:45
nga:Gazeta Blic

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se pulmologu nga Podujeva, Ibrahim Hoti është ndaluar për 48 orë, për shkak të mosdhënies së ndihmës mjekësore.

Prokuroria njofton opinionin se pas publikimit të pamjeve në media, lidhur me një rast i cili ka ndodhur sot, konkretisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë, ku disa pacientë nuk marrin shërbime shëndetësore nga ky institucion, Prokurori i Shtetit, menjëherë ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, duke iniciuar rastin si “Mosdhënia e ndihmës mjekësore”, nga neni 255 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është intervistuar i dyshuari-mjeku me inicialet I.H., në drejtim të veprës penale të lartcekur dhe i njëjti është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Pulmologu Hoti tashmë është suspenduar.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Driton Veliu.

“Lidhur me këtë rast, Këshilli Drejtues i QKMF-së dhe pas analizës së këtij rasti, Këshilli kanë vendosur që mjeku të suspendohet përkohësisht nga marrëdhënia e punës deri në një vendim të ri të Komisionit Disiplinor”, ka shkruar Veliu në llogarinë e tij në Facebook.