Njohësi i çështjeve politike nga Shqipëria, Mentor Nazarko, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur për zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rikthimin në ‘Shtëpinë e Bardhë’ të Donald Trump dhe si do të ndikojë kthimi i tij në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Nazarko tha se ish-presidenti Biden duke qenë i angazhuar për kriza të tjera ndërkombëtare, çështjen e Kosovës, i’a delegoi Bashkimit Evropian.
Ai potencoi se me rikthimin e Trump është koha kur Kosova t’i kthet marrëveshjes e cila ishte më e mira e mundshme në atë kohë, marrëveshjes së Uashingtonit.
“Kanë kaluar katër vjet nga koha kur kryeministri Kurti, asokohe në opozitë, bëri thirrje për të votuar zotin Biden. Duke iu referuar historisë së tij, të marrëdhënieve të shkëlqyera me Kosovën, angazhimit të tij për Kosovën etj. Mirëpo kaluan katër vjet dhe gjatë kësaj periudhe zoti Kurti por në përgjithësi e gjithë elita politike e Kosovës kanë kritikuar marrëveshjet, ndryshimet e tyre që i janë paraqitur Kosovës apo që ajo është detyruar të firmosë në negociatat e Brukselit. Këto katër vjet kanë qenë saktësisht katë vitet e presidentit Biden i cili i angazhuar për kriza të tjera ndërkombëtare ia ka deleguar çështjen e Kosovës, Bashkimit Evropian. Tani që SHBA-të e risollën në ‘Shtëpinë e Bardhë’ presidentin Trump, autorin e marrëveshjes së Uashingtonit, është koha që Kosova të mbledhë energji të veta, të miqve të saj që presidenti Trump t’i rikthehet asaj marrëveshjeje e cila ishte më e mira e mundshme në atë kohë dhe t’a rimarrë atje ku ishte saktësisht neni 5 i Moratoriumit. Pra dikur në atë nen ishte njohja reciproke, për shkak të lobimit serb u kalua në moratorium 1-vjeçar për ç’njohjen dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare” tha Nazarko për “Gazeta Blic”
Nazarko e cilësoi si veprim të ‘pjekur’ faktin që Kurti nuk bëri thirrje këtë herë se kush të votohet si president në SHBA.
Ai tha se Kosova duhet të ‘shfrytëzohet’ protagonizimin e Trump në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të zgjidhet çështja e Kosovës dhe Serbisë.
“Për fat të mirë zoti Kurti u tregu i pjekur dhe nuk bëri sërish thirrje që të votohet ‘ky apo ai tjetër’ president dhe ta shfrytëzojmë protagonizmin e Trump në marrëdhëniet ndërkombëtare, që u shfaq katër vjet më përpara, ta shfrytëzojmë edhe sot që ai t’a përfundojë atë punë të papërfunduar që lidhet me marrëveshjene Uashingtonit dhe me vendosjen përfundimtare të paqes mes Kosovës dhe Serbisë, midis kombit shqiptar dhe atij serb” tha Nazarko në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/