Lajme

NATO reagoi për formimin e Ushtrisë së Kosovës, Qeveria i përgjigjet kështu

12/05/2018 17:22
nga:A. R.

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, ka sqaruar se nuk ka vend fare për konfuzion sa i përket tranzicionit të FSK-së, ai ka shtuar se ky tranzicion është në përputhje me  angazhimet bilaterale dhe multilaterale të Kosovës me shtetet anëtare të NATO-s, përcjellë Gazeta Blic.

Ky sqarim i Ramadanit vjen pasi që  sot sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka thënë se qëllimi i Kosovës për t’i transformuar forcat e saj të sigurisë në ushtri vjen në kohë të gabuar, dhe sipas tij, kjo është në kundërshtim me rekomandimet e shumë anëtarëve të NATO-s dhe se mund të ketë pasoja serioze për integrimin euroatlantik të Kosovës.

Shkrimi i plotë i Burim Ramadanit:

Nuk ka vend fare për konfuzion. Transicioni i FSK-së është në përputhje me angazhimet bilaterale dhe multilaterale të Kosovës me shtetet anëtare të NATO-s, sikurse edhe me Selinë Qendrore të NATO-s.

Duhet të kuptojmë vështirësitë e NATO-s për konsensus për shkak të shteteve jonjohëse aty. Ne fatkeqësisht nuk kemi pasur qasje direkte në kryeqytetet e disa prej këtyre shteteve jonjohëse për t’ia spjeguar procesin dhe planin e Kosovës.

Sidoqoftë, ne mirëpresim thellimin e angazhimit të NATO-s në Kosovë, përmes NALT-it dhe Bashkëveprimit të Zgjeruar.

KFOR-i po ashtu do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë dhe do të thellohet bashkëpunimi.

Transicioni i FSK-së është proces legjitim dhe gradual. Pas miratimit të ligjeve, FSK do të ketë transicion 10 vjeçar për të përmbushur kapacitetet e plota operacionale.

Kosova synon të jetë anëtare e NATO-s, i takon këtyre vlerave dhe do të thellojë përpjekjet për këtë Qëllim Kombëtar.

Kosova dhe FSK është e gatshme që krah për krah me ushtritë e shteteve anëtare të NATO-s të ndihmojë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajone të ndryshme nëpêr botë.

03/30/2020 17:21

Situata me Covid-19, Rama: Kemi kërkuar ndihmë nga NATO