Lajme

Nata finale – Prishtina në prag të shkuarjes në zgjedhje të reja!

01/04/2022 15:49
nga:Gazeta Blic

Nesër (e mërkurë), Kuvendi Komunal i Prishtinës, do të mblidhet qysh në mëngjes. Në rend të ditës është vetëm një pikë: zgjedhja e kryesuesit, raporton Gazeta Blic.

Për t’u mundësuar zgjedhja e kryesuesit, Lidhja Demokratike e Kosovës, duhet të arrijnë koalicion: ose me Lëvizjen Vetëvendosje, ose me Partinë Demokratike të Kosovës.

Tashmë dihet që partia e Albin Kurtit, e ka përjashtuar çdo bashkëpunim me LDK-në në Prishtinë. Rrjedhimisht e vetmja mundësi është të arrihet koalicion me PDK-në e Memli Krasniqit.

Por, Gazeta Blic, merr vesh se tashmë janë larg mundësisë për të pasur koalicion mes LDK-së dhe PDK-së në Prishtinë.

Zyrtarë të lartë brenda këtyre dy partive, kanë bërë të ditur se sipas të gjitha gjasave, nuk do të arrihet marrëveshje mes tyre.

Mirëpo, ata nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të ndodhë diçka e madhe sonte, ani pse janë shumë skeptikë.

“Jemi shumë larg. Nuk e besoj që do të mund të ketë koalicion. Kemi mospajtime të mëdha, realisht”, tha një zyrtar i LDK-së në kushte anonimiteti.

Njejtë deklarojnë edhe ata të PDK-së, ani pse e shohin një dritë në fund të tunelit.

“Sonte do të ketë takim mes Uranit (Uran Ismaili) dhe Përparimit (Përparim Rama). është e vërtetë që gjërat janë larg, por te shohim çka do të ndodhë”, tha zyrtari i PDK-së.

Çka ndodhë nëse nuk do të ketë koalicion?!

Në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale, kryesuesi i Kuvendit duhet të zgjidhet më së largu 30 ditë pas betimit të anëtarëve të asamblesë. Rrjedhimisht i bie që, me 6 janar, përfundon afati ligjor, kur duhet të zgjidhet kryesuesi i Kuvendit Komunal në Prishtinë. Nëse një gjë e tillë nuk arrihet të bëhet deri me këtë datë, atëherë do të ketë sërish zgjedhje të reja, për asamble komunale në kryeqytet.

Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama përpos kryesuesit të asamblesë, nuk ka formuar ende as ekipin e tij.

Deri tani është bërë publik vetëm njëri nënkryetar, Alban Zogaj nga LDK dhe shefi i Kabinetit, Vllaznim Osmani.

Derisa, pozitat e 16 drejtorive dhe njërit nënkryetar nuk janë bërë ende të ditur, për shkak që ende nuk është qartësuar se a do të ketë koalicion me parti tjera, në mënyrë që t’i ndajnë pozitat drejtuese brenda komunës.

Gazeta Blic, do ju mbajë të informuar, nëse do të arrihet koalicioni sonte mes LDK-së dhe PDK-së, apo nesër do të dështojë seanca për zgjedhjen e kryesuesit të kuvendit komunal në Prishtinë.

@Gazeta Blic

Prishtinës do t’ia shtohen edhe 3-4 drejtori, e konfirmon Përparim Rama

Shaqir Totaj ‘peng’ i LDK-së në Prizren, e Përparim Rama ‘peng’ i PDK-së në Prishtinë

Përparim Rama në “ngërç”, ende pa asnjë drejtor

 

Përparim Rama me shaka: Kush është Isa Mustafa, këngëtar a?

Përparim Rama tregon se a do të bëhet hyrja në Prishtinë, me para