Lajme

Nait Hasani: Gjykata Speciale do të zhbëhet, themelojmë një vendore

12/24/2017 18:39
nga:anonymous1000144531

Kërkesa për seancë urgjente është bërë për të shfuqizuar Gjykatën Speciale. Alternativa është themelimi i një Gjykatë vendore për trajtimin e të gjitha krimeve. Është hipotetike nëse Thaçi, Veseli e Haradinaj qëndrojnë prapa kësaj nisme. Ideja jonë ishte të shfuqizojmë Specialen para se të nisë së funksionuari dhe do të vazhdojë deri në shfuqizimi i Ligjit për Specialen.

Flet deputeti i PDK’së, Nait Hasani, nismëtar për zhbërjen e Speciales.

GE: Nënshkrimi juaj është i pari në listën e deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, a do të vazhdojë kjo nismë edhe pasi të ktheheni nga pushimet dhe cila është alternativa nëse shfuqizohet kjo Gjykatë?
Nait Hasani: Më së pari kërkesa është bërë për mbledhje urgjente, kërkesa është bërë nga 43 deputetë. Kërkesa është bërë nga 43 deputetë të vetëdijshëm për nënshkrimin e vetë, kërkesa është bërë me një qëllim të caktuar shfuqizimin e Ligjit për Gjykatë Speciale dhe Dhomat e Prokurorit. Alternativa është krijimi i gjykatës në vend dhe trajtimi i të gjitha rasteve të krimeve të luftës. Asnjëherë nuk kemi hequr dorë nga kjo, as atëherë kur është miratuar as sot e as nesër, prandaj nuk kërkojmë me u trajtu Ushtria Çlirimtare pjesë e kriminalizuar. Ne nuk jemi kundër Bashkësisë Evropiane, nuk jemi kundër Amerikës se ata e kanë ndihmuar këtë luftë, prandaj duke e ndihmuar këtë luftë ne duam që kjo luftë të jetë luftë çlirimtare dhe pjesë e mbrojtjes sonë, prandaj ndryshimi i Ligjit kërkohet pikërisht për të treguar se Serbia ka bërë gjenocid këtu edhe krimet e Serbisë janë të pafalshme.

GE: U prit përkrahje prej VV-së, por në momentin e fundit nuk shprehu vullnet për ta çuar deri në fund këtë?
Nait Hasani: Unë nuk di se kush është Vetëvendosja, e di se deputetët që kanë nënshkruar kanë kërkuar seancë dhe unë flas për deputetët nënshkrues dhe për veten time. Ne kemi kërkuar me pas seancën gabimi është i Kryesisë së Kuvendit që nuk e ka mbajtur seancën.

GE: Është përmendur që pas kësaj nisme qëndrojnë Thaçi, Veseli dhe Haradinaj, a e keni përkrahjen e tyre?
Nait Hasani: Ato janë hipotetike. Unë asnjëherë se kam kërkuar mbështetjen e tyre e kam kërkuar mbështetjen e deputetëve bashkë me kolegët nënshkrues, ta japim atë që vendi e kërkon, koha e kërkon dhe mundësia jonë është që si deputetë t’i tregojmë para fillimit të proceseve e jo gjatë proceseve, të tregojmë se ne kërkojmë gjykatë, ne nuk jemi kundër gjykatave dhe ne bashkërisht e dënojmë krimin dhe krimet e luftës, por megjithatë ne kërkojmë që ky proces të jetë transparent edhe të jetë në Kosovë për ata që kanë marrë pjesë, që e kanë bërë krimin, domethënë jo me e trajtu Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Gazeta Express: E kemi parë një reagim të ashpër të ambasadave të huaj, sidomos të ambasadorit amerikan dhe atij britanik. Bile, njëri prej tyre tha se është nata më e errët që nga paslufta për Kosovën. Si e komentoni këtë?
Nait Hasani: Edhe ata kanë nevojë të këshillohen me neve. Edhe ata i mbrojnë interesat e tyre por edhe ne i kemi interesat tona. Interesi ynë është interesi i miqve ndërkombëtarë që ta luftojnë krimin dhe t’i pastrojnë këto, por jo vetëm t’i ndajnë. Prandaj edhe miqtë tanë kanë kërkuar. Lexojeni deklaratën e Albert Ruhanit, thotë se Kosova ka nevojë dhe kjo është dyfish gjykatë kur ne kemi pas gjykatë të UNMIK-ut, kemi pas gjykatë të EULEX-it, Tribunal të Hagës, prandaj trajtimi nuk është i barabartë. Ne nuk jemi kundër.

GE: Cili do të duhej të ishte reagimi i institucioneve të Kosovës për këtë reagim të ambasadorëve të huaj. Ishte një tërheqje e Kryesisë, e Presidentit…?
Nait Hasani: Unë nuk po merrem as me Presidentin as me kryetarin e Parlamentit, as me Kryeministrin dhe po tregoj që deklaratat e miqve tanë janë deklarata dashamirëse. Atyre duhet t’u shpjegohet aspekti juridik i çështjeve, i krimeve që ka bërë Serbia në Kosovë, nuk po kërkojmë t’u ikim krimeve që kanë ndodhur në Kosovë, por duam që Serbia të jetë pjesë e gjykimeve dhe dënimeve. Me gjykatën Speciale trajtohet vetëm UÇK-ja dhe jo Serbia dhe krimet serbe në Kosovë. Domethënë, ne kemi mbi 13 mijë, 15 mijë njerëz të vrarë shqiptarë, të cilët janë nga Serbia civil, përveç atyre që janë dëshmorë dhe të plagosur, pra mbi 20 mijë njerëz janë vrarë në Kosovë. Prandaj, po kërkojmë trajtimin e secilit rast veç e veç e kolektiv për gjenocidin që e ka bërë Serbia. Kemi njerëz të shpërngulur nga Kosova, kemi mbi 150 mijë shtëpi të djegura, ekonomi familjare të shkatërruara… Prandaj, kush do të gjykohet për këto krime që i ka bërë Serbia. Domethënë, me kërku falje Serbia, nëse duhet të ketë Gjykatë duhet ta trajtojë edhe Serbinë për gjenocidin që e ka bërë në Kosovë.

GE: A është pak e vonshme kjo nismë, pasi PDK-ja ishte ajo që e bëri këtë gjykatë?
Nait Hasani: Jo, kjo gjykatë dhe kjo formë po kërkohet të bëhet pikërisht para se me fillu procesi, kërkesa është para se të fillojë gjykata, t’u tregohet që edhe ne kemi mundësi ta përmirësojmë gabimin, prandaj po kërkojmë nga miqtë ndërkombëtarë ta përmirësojmë gabimin që është pjesë e trajtimit të gjykatave të përfshihen të gjithë jo vetëm Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Të përfshihet edhe Serbia për krimet dhe gjenocidin që e ka bërë në Kosovë.

12/11/2018 13:22

Lajmi i fundit: Edhe një i ftuar nga Specialja për tu intervistuar