Lajme

Nait Hasani: Ambasada e Kosovës në Tiranë s’është e zbrazët, detyrën ia kam dorëzuar zëvendësit tim

08/31/2021 09:25
nga:M K

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, ka përfunduar sot misionin e tij prej diplomatit në Tiranën zyrtare.

Hasani ka thënë që detyrën e tij ia ka dorëzuar zëvendësit Haxhi Bajraktari.

“Sot, më 30 gusht e përfundoj mandatin tim të jashtëzakonshëm dhe të ndërprerë nga Qeveria e Kosovës. Në misionin tonë në Tiranë kemi pasë diplomatë të tjerë të cilët e kanë bërë pranimin dhe dorëzimin e detyrës. Ambasada e Kosovës në Tiranë e ka ushtruesin e detyrës ose të ngarkuarin Haxhi Bajraktarin i cili ka qenë zëvendësi i im gjatë tërë kohës sa kemi qenë në mision”, ka deklaruar Hasani.

“Në bazë të një vendimi që ka ardhë nga Drejtoria e Përgjitshme e Ministrisë së Jashtme, unë e kam dorëzuar detyrën të zëvendësi Haxhi Bajraktari. Pra, Ambasada e Kosovës në Tiranë nuk është e zbrazët, ka të ngarkuarin deri në zgjedhjen e ambasadorit të ardhshëm”, ka deklaruar Hasani në Klan Kosova.

Tutje Hasani ka thënë që këtë vendim të Qeverisë e ka parë si të natyrshëm.

“Të gjitha përpjekjet e mia që nga mosha e re kanë qenë për ndërtimin dhe krijimin e shtetit të Kosovës, prandaj i shoh si procese të natyrshme zhvillimet politike dhe ndërrimet e qeverive dhe të njëjtën kohë një zhvillim të tillë e kam parë si një perceptim i politikës së re që të kenë njerëz të rinj”.

Ai thotë që ata janë zgjedhur “në mënyrë të ligjshme” dhe një vendim i tillë është i Qeverisë dhe ata kanë të drejtë të veprojnë.

“A ka qenë e drejtë ose jo, mbetet në përgjegjësinë e tyre”, tha Hasani.