Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut ku është pritur nga ministrja Mila Carovska.
Përmes një postim në Facebook, Nagavci ka thënë se bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe shkencës në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, ishin temë e diskutimit në takimin zyrtar me homologen e saj.
Nagavci ka thënë se u pajtuan për intensifikimin e përpjekjeve në arritjen e aspiratave të përbashkëta në fushën e arsimit si dhe për finalizimin e një marrëveshjeje dypalëshe në mes të dy shteteve tona fqinje me qëllim të mbështetjes reciproke dhe mundësive arsimore e shkencore për qytetarët e dy vendeve.
Ky është statusi i saj i plotë:
Gjatë vizitës zyrtare në Shkup, ku u mirëprita nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë, Mila Carovska dhe zëvendësministri, Arafat Shabani biseduam për sfidat e zhvillimit të procesit mësimor në kushtet e pandemisë dhe digjitalizimin. Po ashtu, adresova shqetësimet në lidhje me vonesat në shkëmbimin e informatave për validitetin e diplomave si dhe tarifat që paguajnë studentët tanë në Maqedoninë e Veriut.
U pajtuam për intensifikimin e përpjekjeve në arritjen e aspiratave të përbashkëta në fushën e arsimit si dhe
për finalizimin e një marrëveshjeje dypalëshe në mes të dy shteteve tona fqinje me qëllim të mbështetjes reciproke dhe mundësive arsimore e shkencore për qytetarët e dy vendeve.