Lajme

Nagavci me mesazh për “Javën kundër braktisjes së mësimit”

11/20/2021 15:43
nga:M K

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, sot në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, ka bërë të ditur se kjo ministri sot ka hapur javën kundër braktisjes së mësimit.

Ajo përmes një videmoesazhi, ka thënë se kjo do të bëhet me qëllim të ofrimit të mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët.

“Jemi në prag të 20 Nëntorit – Ditës Ndërkombëtare të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve. Në kuadër të fushatës nacionale për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve po e hapim sot si Ministri e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Javën kundër braktisjes së mësimit, me qëllim të ofrimit të mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët pa asnjë dallim”, ka thënë Nagavci.

“Kjo javë dhe çdo ditë e jona është e mbushur me punë e aktivitete të rëndësishme, sepse jemi të përkushtuar që të kemi shkolla cilësore, mike, e të sigurta për të gjithë. Fatmirësisht, nga viti në vit, po zvogëlohet numri i braktisjes së mësimit”, ka vazhduar ministrja.

Megjithatë, çdo shifër, çdo fëmijë që nuk vijon mësimin, sipas saj, është brengosëse. Prandaj, bën thirrje për sensibilizimin e të gjitha institucioneve përgjegjëse, qofshin ato arsimore, shëndetësore, sociale dhe të tjera, që bashkë me komunitetin e prindërve dhe grupet tjera të interesit të mobilizohen në parandalimin, identifikimin, raportimin, referimin dhe trajtimin efikas të secilit rast të braktisjes së shkollimit dhe të problemeve të tjera me të cilat ballafaqohen fëmijët, e që duan veprim institucional.

“Të gjithë fëmijët duhet të edukohen, arsimohen dhe të zhvillohen brenda potencialit fizik, intelektual, social e emocional, ashtu siç e kërkon edhe Konventa e të drejtave të fëmijëve dhe kuadri ynë ligjor. Të punojmë bashkë për të realizuar të drejtat e secilit fëmijë në Republikën e Kosovës. Gëzuar Ditën e Fëmijëve dhe suksese!”, ka shtuar ajo.

https://www.facebook.com/MASHTI.rks/videos/686749605637622