Opinion

Na ishte njëherë një diasporë shqiptare

06/16/2018 22:12
nga:Leonard Komani

Që nga çlirimi i Kosovës e këtej, diaspora shqiptare nuk është më ajo e dikurshmja. Nga kjo fazë u këput një traditë që emigracioni shqiptar e kishte ruajtur që nga dyndjet e arbëreshëve e deri para luftës – të jetë promotori i zhvillimeve në vendet e origjinës. Pse ndodhi ky dështim dhe a ka të drejtë emigracioni shqiptar të kërkoj trajtim të veçantë në atdhe-të e tij?

Leonard KOMANI

Ju kujtohet ajo skulptura me tre majmunët, e motivuar nga një proverb japonez e që manifeston ligjin trinitar: s’dëgjoj – s’shoh – s’flas! Në diktatura dhe ekzistencë mjediseve mafioze, ky ligj ua shpëton jetën njerëzve. Natyrisht se ky qëndrim të detyron ta refuzosh realitetin, t’i mbyllsh sytë para çdo krimi e feste, të jetosh edhe pa lirinë minimale, por megjithatë të lë gjallë – jeton si organizëm, vegjeton, por gjallë, kjo ka rëndësi.
Kjo gjendje e keqe e njeriut në shoqëri e përgjithësi mund të arsyetohet pra në një mënyrë apo tjetër në sistemet e egra si ato që i përmendëm lartë, mirëpo ç’arsyetim duhet të imagjinojmë kur shumica të sojit has edhe nëpër shoqëritë ku policia jo për çdo natë mbledh kufoma rrugëve – viktima të mafisë dhe në të atilla ku asnjë nuk mbyllet burgjeve as për delikt verbal e as për demonstrim legal rrugëve?
Jo, kësaj radhe nuk e kemi fjalën për ato shumicat heshtake brenda shteteve shqiptare, siç mund t’i shkojë mendja dikujt që pati durim ta lexojë tekstin deri këtu. Temë e këtij teksti janë diasporat shqiptare. Pse na duket diaspora shqiptare sot si ai monumenti i shekullit 17 në të cilin qëndron “mizaru, kikazaru, iwazaru”?

*
Patjetër se këngën duhet ta nisim me të bëmat e emigracionit shqiptar në histori. Përndryshe vështrimi na del i njëanshëm. Që nga koha e Skënderbeut e deri në luftën e fundit të Kosovës diaspora shqiptare nuk ka qenë vetëm ndihmuesja, por edhe bashkë- ose vet-organizatorja e luftërave dhe kauzave shqiptare. Mos të flasim për kontributin e saj në kulturë, arsim e të llojit. Ja edhe kontributin e sotëm kolosal financiar me të cilin mbijeton de facto Kosova dhe nuk i hynë ndonjë lufte darviniste ku njerëzit do vrisnin njëri tjetrin për bukë, po e lëmë anash. I lëmë gjitha këto anash, ngase ose janë histori ose financimi nga jashtë brenda nuk ndodhë patjetër nga dashuria e madhe për t’i shpëtuar qeveritë kosovare, por për të mbajtur gjallë familjet, pronat, janë më shumë të interesit privat se sa atij patriotik siç duan plotë t’ua pranojmë si epolet. Domosdo se ka ende njësha të tillë që japin pare për lobime të ndryshme, por janë ose të rrallë ose kryesisht imagjinar.
Tash, përveç rolit fisnik historik dhe zemërgjerësisë aktuale për të ndihmuar të vetët në atdhe me pare, çka bën diaspora shqiptare? I mbledh vetëm një mijë vota për një adresë të veçantë, kështu duke nervozuar 80% të banorëve brenda që t’i urrejnë deri në racizëm madje. Këtë e bëjnë herë pas here. Dhe çka përpos kësaj? Përndryshe zëra të përveçëm herë pas here protestojnë për gjendjen e rëndë kufijve, ngase i keqtrajtojnë, zhvatin, përbuzin dhe fyejnë. Kështu raportojnë pothuaj të gjithë sapo të kthehen nga “mëmëdheu”; t’i kenë zhvatur kockë e lëkurë; t’i kenë nënçmuar, tallur e ku ta dimë çka tjetër.
Ja po e zëmë se gjitha këto ndodhin. Tezat rreth shkaqeve se pse ndodhin këto sjellje të “autoktonëve” mirëpo nuk donë t’i dëgjojë askush. Askush nuk donë të dëgjojë faktin se diaspora moti ka humbur imazhin e të qenurit një pjese vitale e fateve dhe kauzave për vendet shqiptare. Kjo na bën të kthehemi tek ajo metafora jonë japoneze me të cilën hapëm këtë tekst.
Nëse njerëzit poshtë heshtin për të mbijetuar, për ta ruajtur luksin ose sepse nga smogu nuk e shohin as diellin e lere më realitetin, pra se i paskan disa arsye pse janë ngujuar ashtu, atëherë cilat qenkan arsyet e heshtjes dhe mosveprimit të diasporës shqiptare? Pa dilemë se ka të drejtë të përzihet e të flasë ngase siç thamë financon familjet dhe ka pronat e veta atje – në këtë kohë mobiliteti është primitivizëm madje të thuash diasporë, emigrim se njerëzit mund t’i kene sado domicile nga një cep ne tjetrin e planetit, pra vlen shtetësia.
Po folëm drejtë dhe pa marrë kënd në mbrojtje atëherë sulmi ndaj vetë emigrantëve të fyer atje del më brutal kur parashtrohet pyetja se ç’bën diaspora këtu njëzet vitet e fundit për të ruajtur kulturën, identitetin dhe për të kultivuar rolin e saj tradicional karshi vendit të saj të origjinës? Ndoshta edhe bën diçka por mundësisht me i hap ca portale me tendera të fituara në Prishtinë?

*
Janë këto arsyet se pse diaspora duket se ajo skulptura japoneze me tri majmunët? Nuk mund të kërkosh trajtim special kur as veten nuk je në gjendje ta menaxhosh – si grup, si komunitet, si identitet, kulturë – e lere më të ndikosh diku për përparim në demokraci, mirëqenie, thjesht për të qenë ndonjë faktor siç janë italianët, spanjollët apo izrealitët. Mundësitë janë ndoshta, nuk e dimë, por kështu siç është gjendja – diaspora nuk ka humbur vetëm imazhin e saj, por edhe çdo të drejtë për tu ndier diçka më superiore se pjesa autoktone e saj.

09/21/2018 16:03

Lojtarët e përfaqësueses së Kosovës tallen me Benjamin Kolollin