Cult

Muzeu Kombëtar i Kosovës ndryshon statutin e 1978-tës

12/24/2018 21:31
nga:Gazeta Blic

Nga sot Muzeu i Kosovës bëhet me Statut, akt ky i cili ia përcakton mandatin dhe rregullon punën e këtij institucioni të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës. Në një ceremoni solemne, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar statutin e Muzeut te Kosovës.

Me këtë Statut, ndër të tjera përcaktohen dhe rregullohen mandati, veprimtaria, organet drejtuese dhe kompetencat e tyre, statusi juridik, organizimi i brendshëm, burimet e financimit, përzgjedhja, organizimi i punonjësve profesionalë, administrativë dhe teknikë si dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm.

Me nënshkrimin e këtij akti, ky institucion emërtohet Muzeu Kombëtar i Kosovës me shkurtesën MKK. Statuti përcakton organet drejtuese të MKK-së, Këshillin Drejtues dhe drejtorin e MKK-së.

Këshilli Drejtues, i cili përbëhet nga pesë anëtarë dhe me një mandat katër vjeçar, ndër të tjera, i cili harton dhe aprovon politikat afatgjata të institucionit, aprovon programin vjetor të punës së MKK-së, zgjedh dhe shkarkon drejtorin e Muzeut. Ndërkaq, statuti përcakton edhe detyrat e drejtorit të MKK-së, i cili zgjidhet përmes një konkursi publik që shpall MKRS-ja, me një mandat katër vjeçar dhe me të drejtë rizgjedhjeje edhe për një mandat. Ai, mes shumë detyrave dhe përgjegjësive, koordinon dhe organizon punën e MKK-së, e propozon te Këshilli Drejtues planin vjetor të punës, merr pjesë në mbledhjet e Këshillit pa të drejtë vote, përfaqëson MKK-në brenda dhe jashtë shtetit.

Me rastin e nënshkrimit të statutit të MKK-së, ministri Gashi tha se nënshkrimi i këtij dokumenti është i rëndësisë së veçantë për të kaluarën e vendit tonë.

“Së bashku po kurorëzojmë një sukses të përbashkët, të arritur falë përkushtimit dhe angazhimit disa mujorë të anëtareve të këshillit Drejtues të Muzeut si dhe stafit profesional të këtij institucioni, pra nënshkrimin e Statutit të Muzeut të Kosovës”, tha ai.

Ministri Gashi foli rreth rëndësisë së statutit të Muzeut dhe për objektivat themelore të tij, duke thënë se pas 40 viteve nga koha kur është miratuar statuti i fundit me 1978 dhe 20 vite pas luftës në Kosovë, Ministria po i ofron dokumentin themelor muzeut, statutin, si akt ligjor kryesor i funksionimit të institucionit me vlerë të jashtëzakonshme në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe historike.

“Ky statut e mundëson për herë të parë evidentimin, regjistrimin dhe digjitalizimin e fondit muzeor të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, mundëson ngritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së shërbimit muzeor një veprimtari me të konsoliduar si në aspektin profesional po ashtu edhe në atë shkencor. Mbi të gjitha ky statut e ngrit si institucion të administratës shtetërore, pra si muze nacional”, sqaroi ministri Gashi.

Ministri Gashi gjithashtu premtoi se vitin e ardhshëm do të avancojë legjislacionin për muzetë në Republikën e Kosovës.

“Vitin e ardhshëm, unë si ministër do ta vendos në agjendë legjislative ligjin për muzetë e Kosovës, e që ky statut e ka bëre që të jetë si dokument udhërrëfyes se sa i nevojshëm është një ligj i tillë për muzetë e Republikës së Kosovës, vend me vlera te veçanta të trashëgimisë historike dhe kulturore”, është shprehur ministri.

Në fund, ministri shprehu falënderim dhe mirënjohjen për grupin punues të këtij dokumenti të rëndësisë të veçantë dhe rikonfirmoi mbështetjen e plotë dhe të pa rezervë për të gjitha institucionet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në kuadër të Ministrisë së Kulturës.