Opinion

Muzetë që do t’i mbajnë në kujtesë të bëmat kriminale të kësaj kaste politike

01/05/2018 22:02
nga:Azem Osmani

Shkencërisht është konstatuar se kur një grup shoqëror gjendet në situata të rrezikut nga faktorë të ndryshëm, qoftë ai njerëzor apo natyror, individët brenda atij grupi instinktivisht krijojnë mes veti lidhje të forta emocionale, dashuri më të madhe për kombin e shtetin dhe për njëri tjetrin.

Grupi shoqëror në situata të tilla ka gatishmërinë të rris në masë të madhe edhe organizimin kolektiv për t’u ballafaquar me rreziqet. Këtë gjendje socio-psikologjike e kemi përjetuar edhe ne shqiptarët në të gjitha trojet etnike ku jetojmë.

Tani më shqiptarët, krahasuar me dekadat e mëhershme, kanë arritur avantazhe politike në rrafshin global gjeostrategjik falë përpjekjeve të brendshme, e mbi të gjitha falë ndihmës së pakursyer të SHBA-ve dhe shteteve perëndimore. Në këtë kohë që po jetojmë, rreziqet nga shtetet e huaja e sidomos nga ndikimi rus janë zvogëluar. Pikërisht, kjo ka bërë që shqiptarët të pësojnë rrënjësisht ndryshime socio-psikologjike. Kanë humbur në masë të madhe lidhjet emocionale ndaj njëri-tjetrit, ka rënë dashuria për kombin e shtetin, ka humbur dukshëm solidariteti për shtresat në nevojë.

Përkundër kësaj, interesi individual është rritur në nivele të larta, është rritur dëshira për pasurim deri në lakmi të skajshme e të pakontrolluar, sidomos e një kaste të caktuar politike e shndërruar në rrjet të gjerë kriminal e cila ka kapur institucionet shtetërore duke i shfrytëzuar për nevojat e tyre.

Ky rrjet kriminal i cili po qeveris me institucionet është duke i abuzuar pamëshirshëm asetet publike, buxhetin e shtetit dhe opinionin publik. Doktrina e tyre qeverisëse nuk ka pasur dhe nuk ka për qëllim fuqizimin e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies sociale, por përkundrazi, futjen nën diktat të secilit segment jetësor, nëpërmes të cilës po arrin të mbaj nën kontroll një numër të madh të qytetarëve, qofshin ata intelektualë të nënshtruar e lakmitarë, por edhe shtresat e varfra të qytetarëve, e mbi të gjitha klanet e tyre që i lidhin interesat e përbashkëta për t’u pasuruar paligjshëm.

Ne si qytetarë të rëndomtë, jemi dëshmitarë të përditshëm të abuzimeve dhe keqpërdorimeve nga këto grupe kriminale, kurdo dhe kudo. Po ashtu jemi dëshmitarë se institucionet e drejtësisë nuk po e luftojnë këtë rrjet të madh kriminal i cili po abuzon me të gjitha institucionet vitale. Është e pashmangshme të mos vihet në pah edhe kapja e një numri të madh të mediave dhe formacioneve parapolitike që merren me lajme të rreme dhe propagandë nga ana e këtij rrjeti kriminal.

Kundruall kësaj gjendjeje të rëndë, pjesa dërmuese e qytetarëve po heshtin dhe po tolerojnë. Padyshim se shpresat për dalje nga kriza janë zbehur. Pritja e ndërrimit të gjeneratës aktuale politike ka mbetur si shpresa e vetme e qytetarëve të ndërgjegjshëm e të pafuqishëm për ta ndryshuar këtë gjendje. Në rastet kur mungon gjyqi i institucionit të drejtësisë për t’i dënuar rastet e tilla kriminale, atëherë individi instinktivisht mbështetet tek gjyqi moral.

Jam i bindur se kjo krizë e rëndë një ditë do të zgjidhet. Askush nuk mund ta ndaloj transformimin e pushtetit nga gjenerata e vjetër në të renë, e as t’i rezistoj forcës reformuese që do të vij nga mendësia e re, nëse jo sot, gjithsesi nesër. Këta abuzues do t’i dënoj një institucion gjyqësor i drejtë dhe i paanshëm. Dënimi i tyre me heqje lirie nuk do arrij ta shpaguaj dëmin që i kanë shkaktuar dhe po i shkaktojnë kombit, shtetit dhe qytetarëve.

Dënimi më i madh për ta do të jetë gjyqi moral. Jam i bindur se gjenerata e re politike do të themeloj institucione muzeore nëpër secilin rajon. Në këto objekte të historisë, do të qëndrojnë dëshmitë në letra, fotografi e video për të bëmat e tyre, si: vrasjet politike, haraçi, veprimet korruptive, aktivitetet kriminale të të gjitha formave, uzurpimet e pronave dhe objekteve publike, keqpërdorimet e pozitave drejtuese, abuzimet me pasurinë dhe paranë publike, të gjitha format e shantazheve, aktiviteti propagandistik i mediave të kapura, si dhe aktiviteti i formacioneve parapolitike për lajme të rreme e shpifje.

Muzeu është histori në vete, është kujtesa më e mirë për gjeneratat e ardhshme, argumenti më i mirë që u dëshmon atyre se si gjunjëzohet kombi, shteti e qytetari nga veprimet kriminale. Muzetë e tilla, në çdo kohë e periudhë do e bëjnë gjyqin moral ndaj individëve të këtij grupi kriminal, do gërryejnë në ndërgjegjen e tyre e të pasardhësve të tyre që kurrë më kjo të mos përsëritet.

Kjo gjeneratë që e përjetoi në palcë dhunën, okupimin dhe luftën nga pushtuesit sllav, jo që nuk ngriti muze me fakte të vrasjeve, dhunimeve, dëmtimit të pronës e plaçkitjes së shqiptarëve, por si duket i harroi.

Gjenerata e re, dashurinë për kombin e shtetin do ta transformoj nga folklorizmi e keqpërdorimi për interesa individuale në dashuri praktike. Atyre do u mbetet ta themelojnë edhe këtë lloj të muzeut, të cilin ne tani nuk e bëmë.

05 janar 2018


Nga: Azem Osmani | © GazetaBlic