Lajme

Mustafa: Vizat duhet t’i hiqen së pari Qeverisë

12/06/2018 15:36
nga:M H

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një shkrim të bërë në llogarinë e tij në “Facebook”, ka shkruar rreth dështimit të vizave dhe rreth kufirit Kosovë-Mali i Zi, raporton “Gazeta Blic”.

Mustafa, ka thënë se në këtë vit as nuk u përmbush premtimi për viza dhe as nuk u përmbush zotimi se kufiri do të zhvendoset në Çakor, dhe për këtë askush nuk po merr përgjegjësi.

I pari i LDK-së, po ashtu ka fajësuar Bashkimin Evropian për viza, ai ka thënë që  BE nuk ishte parimore me Kosovën, dhe që shtetit tonë i kishte vendosur më së shumti kushte sesa vendeve tjera.

Në fund, Mustafa ka pohuar se me një qeveri 1/3 e ministrave me aktakuza dhe që merr vendime arbitrare e me 80 zëvendësministra, vizat nuk hiqen andaj fillimisht vizat duhet t’i hiqen qeverisë.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Isa Mustafës:

Liberalizimi, Çakori e Zhlebi
Mbetëm pa përmbushje të zotimeve për liberalizim dhe mbetëm pa përmbushje të zotimeve se kufiri do të zhvendoset ne Çakor. Ndërkaq, askush nuk merr përgjegjësi. 
Ishte kontestimi që ia bëri Kryetari i AAK-së, tani Kryeministër, me kauzë të rrejshme marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi që qoi që procesi i liberalizimit të mos fillojë me kohë. Ai dhe disa shërbyes të tij, deputetë e profesorë, ngulnin këmbë se kufiri është në Zhleb dhe Çakorr dhe se Kosova po humb 8200 hektarë. Këtë vit demarkacioni u ratifikua, e votuan 80 deputet, kufiri nuk po lëvizë, mbeti aty ku u caktua me marrëveshje, por vizat nuk u hoqën.
Do të ishte mirë që para ambasadave, ku rreshtohen e maltretohen me qindra qytetarë me nga një çantë dokumente për të marrë një vizë, t’ua vejmë fotot e atyre që me paturpësi, vetëm për të përfituar nga popullizmi, na sollën në këtë situatë. Edhe fotografinë e Qeverisë së sotme.
BE-ja nuk ishte parimore me Kosovën, se na vëri më shumë kushte sesa vendeve të tjera, por BE-ja na informoi me kohë, në vitin 2015 dhe 2016, se nëse vonohemi me ratifikim të marrëveshjes, do të prolongohet liberalizimi. Këtë e kanë ditur të gjithë!
Mos te kemi iluzione as në të ardhmen se me një Qeveri me 1/3 e ministrave me aktakuza, që merr vendime arbitrare, me 80 zëvendësministra, vizat nuk hiqen. Vizat së pari duhet t’ia heqin qeverisë së tanishme për ta quar në shtëpi, e pastaj t’ia heqin vetvetes duke e zgjedhur një qeveri e cila punon për interesat e qytetarëve e jo për klientelën e vet.

12/15/2018 01:01

Moti ‘befason’ vikendit