Lajme

Mustafa: Pa ShBA-në s’ka marrëveshje finale me Serbinë, rolin e Hotit nuk mund ta marrë askush

08/02/2020 12:05
nga:N.K

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa thotë se pa pjesëmarrjen aktive të ShBA’së në procesin e dialogut nuk ka marrëveshje finale me Serbinë. Mustafa i tha Gazetës Express se duhet të ketë konsultim dhe pajtim të të gjithëve përfshirë Presidentin, Kryeministrin, partitë e koalicionit qeverisës dhe opozitën për marrëveshjen për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Kreu i LDK’së ka thënë se dialogu që po zhvillohet në Bruksel është politik dhe rolin e kryeministrit Avdullah Hoti nuk mund ta marrë askush.

“Askush nuk e zëvendëson dhe nuk e merr rolin e Kryeministrit në dialog. Por është e pamundur që Kryeministri të bisedoj për çdo gjë dhe në të gjitha fazat. Dialogu është politik, edhe temat që diskutohen në nivel të Koordinatorit shtetëror janë politike, jo teknike”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka folur edhe për vizitën e Koordinatorit Shtetëror Skender Hyseni në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit.

I pari i LDK’së tha se e vlerëson ftesën që i është bërë Hysenit dhe se pa pjesëmarrjen e ShBA’së nuk ka marrëveshje finale me Serbinë.

“Sa i përket SHBA-së, unë ndaj mendimin se nuk ka marrëveshje pa pjesëmarrje aktive të tyre në këtë proces. Jo vetëm që Kosova do të konsultohet ngushtë me SHBA-të, por ajo pret që SHBA do të jenë në tavolinën e dialogut. Prandaj e vlerësoj ftesën që departamenti i shtetit ia ka bërë z. Hyseni dhe vizitën e tij në Washington”, ka thënë Mustafa.

Mustafa është shprehur po ashtu se për marrëveshjen me Serbinë duhet të ket konsultim dhe pajtim të ngushtë të akterëve politikë kosovarë.

“Marrëveshja mund të arrihet vetëm me konsultim të ngushtë të Kryeministrit, të Presidentit, të subjekteve të koalicionit qeverisës dhe të opozitës. Flas për konsultime përmbajtësore, pajtime, jo vetëm për informim”, tha ai.

Ditë më parë, deputeti i LDK’së, Haxhi Avdyli kishte thënë se dialogu në nivelin e ekspertëve që udhëhiqet nga Koordinatori Shtetëror për Dialogun Skender Hyseni po bëhet në interes të Serbisë.

I pyetur se si i sheh deklaratat e tilla të anëtarëve të LDK’së, Mustafa tha se është injorancë dhe mendjelehtësi të mendohet se dialogu po zhvillohet në interes të Serbisë, madje u shpreh se ata që flasin kështu nuk janë njerëz të LDK’së.

“Të shprehet dikush se dialogu po zhvillohet në interes të Serbisë dhe për zhbërje të shtetit të Kosovës është mendjelehtësi dhe injorancë. Nuk duhet kapërdi çdo lajm që plasohet, kur s’dihet nga kush plasohet dhe për çfare qellime. Njerëz që flasin kështu nuk janë të LDK-së, sepse ata që veprojnë kundër vendimeve dhe qëndrimeve të LDK-së dhe nuk iu besojnë njerëzve të tyre, s’kemi pse i konsiderojmë të LDK-së”, ka thënë Mustafa.

Shefi i LDK’së tha se nuk shpreson në një marrëveshje në vjeshtë të këtij viti, por që dialogu duhet të vazhdojë.

“Nuk jam prej atyre që shpresojnë në një marrëveshje të shpejtë, në vjeshtë të këtij viti, por konsideroj se dialogu duhet të zhvillohet e të mos ndalet për një marrëveshje për njohje reciproke”, tha Mustafa.

Më 16 korrik kryeministri Avdullah Hoti dhe Presidenti Aleksander Vuçiq kanë rifilluar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë pas 20 muajsh ndërprerje.

Hoti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel në ndërmjetësimin e BE’së, konkretisht Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme, Josep Borell dhe të Dërguarit të Posaçëm të BE’së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Pas takimit në nivelin e liderëve, dy shtetet vazhduan bisedimet në nivelin e ekspertëve të përfaqësuar nga Skender Hyseni dhe Marko Gjuriq për temat e të pagjeturve dhe ekonominë.

Takimet e ardhshme mes Kosovës dhe Serbinë në Bruksel janë paralajmëruar në fund të gushtit dhe në shtator.

09/17/2020 18:43

Hoxhaj: Isa Mustafa i facebookut nuk është i vërteti, po e mbronë Hotin nga kompromiset ku e ka futur vendin