Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka akuzuar pushtetin se “ka rrënuar tërësisht RTK-në”.
Mustafa ka thënë se pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje “nuk njeh pavarësi mediatike, nuk pranon pavarësinë e askujt, kërkon nënshtrim të plotë”.
Ai ka bërë të ditur se Lidhja Demokratike do të vazhdojë “bojkotin ndaj RTK-së së rrënuar e nënshtruar, siç ka vazhduar tash një vit e gjysmë.”
“Pushteti absolut i VV-së, përmes militantëve të instaluar në çdo skutë, tashmë ka rrënuar tërësisht RTK-në. RTK-ja, që paguhet nga tatimet e qytetarëve, do duhej të ishte tërësisht e pavarur, tërësisht në shërbim vetëm të informimit të saktë të qytetarëve. Por pushteti absolut i VV-së nuk njeh pavarësi mediatike, nuk pranon pavarësinë e askujt, kërkon nënshtrim të plotë. Ky pushtet do të mbahet mend për rrënim të RTK-së dhe të çdo institucioni të pavarur. Ky pushtet do të mbahet mend për dëshirën të nënshtrojë çdo institucion, çdo qytetar, çdo cep të jetës në Kosovë. LDK refuzon nënshtrimin, përveç ndaj qytetarëve. LDK vazhdon bojkotin ndaj RTK-së së rrënuar e nënshtruar, siç ka vazhduar tash një vit e gjysmë”, ka thënë Mustafa.