Lajme

Mustafa: Kemi vullnetin dhe forcën për të fituar në zgjedhje

06/02/2017 17:44
nga:A. R.

Kryeministri Isa Mustafa është shprehur i bindur se koalicioni nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca Kosova e Re (AKR), Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi do të shënojë fitore të thellë në zgjdhje, sepse ky ekip ka vullnetin dhe forcën për të fituar në zgjedhje.

“Jam i bindur se më 11 qershor do të shënojmë fitore. Vetëm qytetarët si ju e sjellin fitoren, duke i përkrahur deputetët që i kemi në listë nga LDK, AKR, Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi në krye me kandidatin për kryeministër, z. Avdullah Hoti”, ka thënë Mustafa.

Të pranishmëve u është drejtuar edhe kandidati për kryeministër, Avdulla Hoti: “Është kënqësi që jemi këtu para jush me kryeministrin tonë, me partnerët e koalicionit, me vajzën e Presidentit Rugova. Po mundohemi që në takimet tona të komunikojmë me qytetarët dhe t’u tregojmë kush jemi ne dhe çfarë përfaqësojmë ne, e jo të komunikojmë me sllogane të ndryshme siç jemi mësuar të dëgjojmë”, ka thënë Hoti.

Ai i ka siguruar qytetarët e Zhurit se ky koalicion është zgjidhja më e mirë për vendin. “Është një koalicion i jashtëzakonshëm me njerëz të jashtëzakonshëm dhe do të zbatojë një plan të jashtëzakonshëm. Po i shpalosim zotimet tona për të gjithë, për studentë, pleq, bujq, të gjitha shtresat e shoqërisë. Të rinjtë që e kryejnë fakultetin do ta kenë të sigurt një vit përvojë pune me pagesë, ndërsa do t’i mbështesim idetë e tyre për biznes”, ka shtuar Hoti, i cili ka paralajmëruar edhe eliminimin e skemave korruptive.

“Keni dëgjuar slloganin se nuk kemi marrë vendime të vështira. Në fakt është LDK-ja ajo që i ka marrë të gjitha vendimet e mëdha tash e 27 vjet me radhë. Ne nuk e rrahim gjoksin, por ne kryejmë punë. Po thonë se unë jam teknokrat, nuk jam populist e të tjera. Ne nuk jemi populistë, ne jemi njerëz që kryejmë punë edhe ato më të vështirat. Detyra jonë është të krijojmë shtetin si duhet, të çojmë përpara amanetin e themeluesve të LDK-së dhe ta forcojmë miqësinë e përhershme me SHBA-të”, ka thënë Hoti.

08/12/2020 20:35

Pasi kandidoi Haradinaj për president, vjen deklarata e Isa Mustafës