Lajme

Musliu-Shoshi: Fatkeqësi që për urën të diskutohet në Bruksel – Kurti e ka veriun për kalkulim votash

09/19/2024 14:53
nga:G B

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se është për keqardhje që veriu është parë vetëm si votë nga Qeveria e Kosovës, që nga fillimi i qeverisjes.

Ajo në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se është në dëm të vendit që çështja e urës së Ibrit të diskutohet në dialog, siç u diskutua nga Bislimi.

“Është për keqardhje që veriu nga kjo qeverisje nga dita e parë është parë si votë, se sa si pjesë territoriale që duhet të trajtohet në Republikën tonë. Çka unë vlerësoj që është krejtësisht në dëm të vendit dhe që në asnjë mënyrë nuk do të duhej që të ishte temë në dialog janë çështjet e brendshme të cilat në vazhdimësi nga kjo qeveri diskutohen në dialog. Atje do të duhej të diskutohej vetëm normaliteti i marrëdhënieve me Serbinë, por jo çështjet e brendshme siç është ura e Ibrit. Kështu që unë vlerësoj që është një gabim që historia nuk do t’ia falë kësaj qeverie, mirëpo qytetarët e kanë votuar në masë të madhe dhe të shohim se cili do të jetë epilogu që do të vazhdojë deri në ditën e zgjedhjeve”, shprehet ajo.

Lidhur me raportimin e Bislimit në Kuvend për dialogun me Serbinë, deputetja e PDK-së thotë se ai e as kryeministri nuk i respektojnë obligimet ligjore, ndërsa që komisioni për punë të jashtme s’ka guxim ta ftojë në raportim.

“Që të vie dhe të japë llogari në Kuvend para deputetëve në Kuvend lidhur me diskutimet në dialog është obligim ligjor, mirëpo përveç që nuk i respekton qeveria obligimet ligjore, e shkelin Kushtetutën dhe nuk japin përgjegjësi. Pra, ne asnjë informacion nuk e kemi as si komision për punë të jashtme, sepse kemi një kryetare dhe përbërje nga shumica e VV-së që s’kanë guxim as ta ftojnë për raportim në komision për dialog. Po ashtu, kemi një kryeministër dhe zv/kryeministër që nuk e respektojnë obligimin ligjor dhe nuk vijnë të japin llogari para deputetëve se çka ndodh në qeveri dhe dialog”, vlerëson Musliu-Shoshi për Gazeta Blic.

Deputetja shton se Kurti e ka për vota çështjen e urës së Ibrit dhe kjo është fatkeqësi për vendin, ku qytetarët do ta paguajnë çmimin.

“Edhe çështjen e urës së Ibrit, edhe çështjen e veriut, z.Kurti e ka vetëm kalkulim votash, nuk ka asnjë gjë substanciale që dëshiron me të vërtetë të ketë ndryshim sa i përket asaj pjese. Çka unë e vlerësoj se është një fatkeqësi e këtij vendi është që nuk po mundohet për një zhvillim të mëtutjeshëm mirëpo shumë herët ka filluar të mendohet dhe të trajtohet vetëm si çështje elektorale e që këtë do ta paguajmë ne si qytetarë të këtij vendi”, potencon ajo.

Musliu Shoshi thekson se ura duhet të hapet në koordinim me ndërkombëtarët.

“Ura duhet të hapet në koordinim me ndërkombëtarët tanë, nuk ka asnjë rëndësi që të ndërmarrim hapa si Kosovë pa aspak koordinim me aleatët”, deklaron deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi./Gazeta Blic/