Lajme

Murati: Nuk janë problem vendet e garantuara, por privilegjet që bartin ato, e të cilat duhet të hiqen

02/22/2021 20:33
nga:Sh Xh

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati thotë se nuk janë problem vendet e garantuara por privilegjet që bartin ato.

Murati thotë se ndryshimi i kushtetutës që kërkon votat e 2/3 të pakicave paraqet problem për Kosovën, përcjellë Gazeta Blic.

Ai kërkon heqjen e privilegjeve të pakicave.

Postimi i tij i plotë:

 Nuk janë problem vendet e garantuara, problem janë privilegjet që mbartin ato!
Pas shfrytëzimit të Listës Serbe (përkatësisht të Serbisë) të modelit të vendeve të garantuara për pakicat, për të rritur ndikimin edhe tek deputetët e pakicave të tjera, përmes kanalizimit të votave serbe për disa nga partitë e reja të këtyre pakicave, prapë u riaktualizua çështja e vendeve të garantuara në Kushtetutën e Kosovës. Duhet ritheksuar se në thelbin e tyre, ekzistenca e këtyre vendeve nuk shpërfaq problem për Kosovën dhe funksionimin e saj. Problemi kryesor janë privilegjet (me qëllim nuk po i them të drejta) që kushtetuta u garanton këtyre deputetëve: nuk mund të ndryshohet kushtetuta pa 2/3 e votave të deputetëve të pakicave si dhe nuk mund të ndryshohen ligjet që u takojnë tetë fushave që trajtohen si vitale për të drejtat e pakicave (por ligjet si ato për arsimin janë vitale edhe për shqiptarët) pa gjysmën e deputetëve prezent që u takojnë pakicave. Nuk duhet harruar se këto modele kryesisht funksionojnë në vendet me multi-etnicitet të theksuar e me numra të popullsisë goxha të barabartë apo të mëdha, e jo si në Kosovë, ku shqiptarët janë mbi 90% të popullsisë. Madje në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët mund të aplikojnë veton e tyre vetëm kur preken të drejtat e tyre e jo për krejt ndryshimet kushtetuese. Sado absurde ky rregullim konsocional i demokracisë kosovare ka pasur njëfarë kuptimi vetëm në rast se Serbia do ta kishte njohur Kosovës. Në situatën e dhënë, ato nuk kanë kuptim, përkundër se janë një kompromis që shqiptarët e kanë bërë me ndërkombëtarët në procesin e pavarësisë së Kosovës. Kështu këto privilegje janë atraktive për Listën Serbe, përkatësisht për Serbinë, sepse përmes tyre synon të dëmtojë edhe më tej funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Serbia dhe Lista Serbe shfrytëzojnë çfarëdo nga rregullimi i brendshëm i Kosovës për ta defunksionalizuar atë, por pa e njoh shtetin e Kosovës. Andaj politika shqiptare në Kosovë, por edhe e pakicave të tjera, duhet të orientohet drejt heqjes së këtyre privilegjeve dhe mbajtjes të të gjitha drejtave të pakicave. E kjo nuk është punë e lehtë sepse kërkon guxim politik të klasës politike në Kosovë, kërkon që në bisedimet me Serbinë të dilet nga të menduarit ‘brenda kutisë’ dhe të shtrohet në to edhe çështja e shqiptarëve në Kosovën Lindore.]