Lajme

Mungon vullneti politik për zbatim të MSA-së

01/01/2018 10:08
nga:A. R.

Që prej momentit të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit e deri më tani, për pothuajse dy vjet është arritur progres në implementimin e MSA-së. Por, pavarësisht kësaj mbetet ende shumë punë për t’u bërë sa i përket zbatimit të saj

Në Ministrinë e Integrimeve Evropiane kanë thënë se zbatimi i MSA-së, tashmë ka filluar të sjellë reforma të thella, ndonëse të ndjeshme, politike e ekonomike.

“Zbatimi i MSA-së kërkon disa vite për jetësimin në tërësi andaj në këtë drejtim mund të themi se është arritur progres sepse për dy vjet të MSA-së, në Kosovë është implementuar një pjesë e konsiderueshme e saj, por kjo nuk na bënë të ndihemi komod në këtë drejtim sepse mbetet ende shumë punë për t’u bërë”, kanë thënë në Ministrinë e Integrimeve Evropiane.

Në MIE kanë deklaruar se gjatë këtij procesi ka edhe sfida, por se e rëndësishme sipas tyre është që institucionet të kenë përkushtim në mënyrë që me këtë marrëveshje të ecet përpara.

Nga zbatimi i MSA-së, derivojnë edhe marrëveshjet e tjera siç është në këtë rast hyrja në fuqi e Marrëveshjes Kornizë për Qasje në Programet e BE-së, e cila po ashtu hapi dyert e bashkëpunimit të mëtejmë dhe rikonfirmon Bashkimin Evropian si partnerin më të madh zhvillimor për Kosovën.

Sa i përket prioriteteve të ministres Dhurata Hoxha, karshi kësaj marrëveshje, në këtë ministri kanë thënë se prioritet do të jetë dinamizimi i procesit integrues

“Si vend duhet të tregojmë përkushtim dhe seriozitet në zbatimin e prioriteteve, duke promovuar qeverisjen e mirë dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, duke mbrojtur konkurrueshmërinë, duke përmirësuar klimën e investimeve si dhe avancimin e politikave të punësimit dhe arsimit të lartë. Agjenda Evropiane e Reformave do të jetë dokumenti bazë i cili do të sjell reformat e kërkuara dhe rrjedhimisht zbatimin e prioriteteve të caktuara, përfshirë edhe zbatimin e MSA-së”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Integrimeve.

Mirëpo, deri sa në Ministrinë e Integrimeve Evropiane thonë se është arritur progres sa i përket zbatimit të MSA-së, ndryshe shprehen njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe njohës të ekonomisë.

Ata vlerësojnë se që nga momenti i hyrjes në fuqi të MSA-së, Kosovën po e karakterizon mungesë e vullnetit politik për implementimin e saj.

Profesori i integrimeve evropiane Avni Mazreku. Ai ka thënë se MSA-ja ende nuk është ratifikuar nga vendet anëtare të BE-së për shkak të statusit final ende të padefinuar që ka Kosova.

“Që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje e që konsiderohet si moment i hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje Kosovën e ka karakterizuar një mungesë e vullnetit politik për implementimin e saj”, ka thënë Mazreku për arbresh.info.

Sipas tij edhe zgjedhjet e parakohshme kanë ndikuar në mos implementim të saj.

“Kosova ka kalu në një proces zgjedhor të parakohshëm dhe rrjedhimisht edhe kjo ka ndiku në atë që quhet ose është proces i implementimit të kësaj marrëveshje por Kosova duhet ta ketë të qartë se në raport me identitin e zbatimit të kësaj marrëveshje aq i shpejtë është procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE”, ka pohuar ai.

Mazreku po ashtu ka thënë se ata që janë kundër zbatimit të MSA-së, janë edhe kundër procesit të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Kurse kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini thotë se pavarësisht që kjo është marrëveshja e parë kontraktuale në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka shumë çështje që ende nuk kanë lëvizur.

“Tashmë kur Kosova e ka nënshkrua një marrëveshje të tillë janë shumë çështje që ende nuk kanë lëvizur nga vendi, ndryshime të disa ligjeve apo legjislacionit që e bënë këtë marrëveshje më lehtë të zbatueshme. E dini që brenda pesë apo shtatë viteve Kosova duhet të liron të gjitha produktet që importon nga Bashkimi Evropian nga taksat doganore”, ka thënë ai.

Sipas tij, me këtë marrëveshje qytetarët e vendit do të kenë lirime të produkteve pasi që do të lirohen nga taksat.

“Ne themi se nëse merret aspekti i humbjes së buxhetit është sfidë për vendin, nëse merret konkurrenca e cila vjen nga jashtë e cila e rrezikon edhe më shumë prodhimin vendor për shkak të politikave të shtrenjta kjo prapë është sfidë por nëse merremi me aspekt pozitive të saj e që i tham më herët prodhuesit të vendit kanë mundësi të marrin tregje në Bashkimin Evropian kjo është një mundësi e mirë për Kosovën. Qytetarët do të kenë lirime të produkteve të veta për çdo vjet e më shumë sepse lirohen nga taksat që vijnë nga mallrat e Bashkimit Evropian dhe rritet cilësia e produkteve për shkak se konkurrenca e produkteve të BE-së do të jetë më shumë prezente në Kosovë”, ka pohuar ai.

Shahini ka thënë se Kosova ende mbetet e dobët në konkurrencë për shkaqe të politikave të shtrenjta fiskale të cilat e kanë përcjell biznesin dhe prodhuesin vendor me vite të tëra.

Ndërsa, eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi, konsideron se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit e bën më të hapur tregtinë në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Një pjesë të produkteve që nuk prodhohen në Kosovë, do t’iu hiqet taksa doganore dhe në 10 vjetët e ardhshëm taksa doganore për produktet e BE-së që futen në tregun e Kosovës do të hiqet dalë ngadalë”, ka thënë ai.

Bashkimi Evropian, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, thotë Gashi, do të investojë në rritjen e kapaciteteve prodhuese vendore, në rritjen e kapaciteteve institucionale, në mënyrë që prodhimet e Kosovës të jenë fillimisht konkurrent me vendet e rajonit, pastaj me vendet e BE-së.

“Efektet në ekonominë e Kosovës në 10 vjetët e ardhshme pritet të jenë rreth 60 milionë euro më pak të hyra në Doganat e Kosovës, por njëkohësisht BE-ja, përmes instrumenteve të para-anëtarësimit, do të bëjë investime në ekonominë e Kosovës, në rritjen e kapaciteteve konkurruese të saj me një vlerë prej 650 milionë eurosh për të rritur kapacitetet konkurruese të Kosovës në raport me vendet e Bashkimit Evropian”, ka pohuar Gashi.

Për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit gjatë këtij viti me një raport ka dalur edhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Zyrtarë të GSJP-së, kanë kritikuar institucionet e vendit lidhur me moszbatimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, duke vlerësuar se nga 158 veprime sa kanë qenë të parapara të ndërmerren nga institucionet, janë realizuar vetëm 44 veprime.

Hulumtuesja e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Albana Merja ka treguar se në gjashtë mujorin e parë nga 158 veprime sa kanë qenë të përcaktuara për t’u ndërmarrë, janë realizuar vetëm 44 të tilla.

“Nga vlerësimi total që ne i kemi bërë planit kombëtar për zbatimin e MSA-së, për gjashtë mujorin e parë kanë qenë të paracaktuara 158 veprime për t’u ndërmarr dhe janë realizuar vetëm 44 veprime, pra vetëm një e treta e totalit ose 27 për qind e totalit të arriturave. Nga veprimet e mbetura ka pasur veprime që janë ndërmarr më vonë, një numër i caktuar por nga 114 veprime që kanë mbetur asnjëra nga to nuk është ndërmarr në kohë. Një konkluzion tjetër që Grupi për Studime Juridike Politike ka parë është edhe pikërisht se nuk ka një koordinim të mirëfilltë midis institucioneve për të arritur punën që ato kanë, gjithmonë kanë ngelur pa u përmbushur pikërisht obligime që kanë përfshirë dy, tri institucione apo dy tri ministri”, ka thënë Merja.

Sipas saj, nëse një gjendje e tillë vazhdon sikurse në gjashtë mujorin e parë, atëherë zbatimi i MSA-së, do të kërkojë shumë kohë për t’u zbatuar deri në fund.

“Asnjë nga këto institucione nuk e merr përsipër të mbajë përgjegjësi për këto veprime që nuk janë përmbushur. Ministria e Integrimeve është ministria e që e koordinon gjithë procesin por në vetvete secili institucion obligimet që i ka që i ka marrë duhet t’i përmbush dhe të mbajë përgjegjësi për ato veprime sepse me këtë ritëm që po ecët deri tani Marrëveshja e Stabilizim Asociimit do të kërkoj shumë kohë për t’u zbatuar deri në fund’, ka pohuar ajo.

Me qëllim të përmbushjes së suksesshme të obligimeve të cilat rrjedhin nga kjo marrëveshje, Qeveria e Kosovës me 16 dhjetor të këtij viti miratoi Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, duke obliguar të gjitha institucionet përgjegjëse që t’i kryejnë detyrat në zbatim të MSA-së.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit të kaluar. MSA-ja krijon një raport kontraktues i cili vë të drejta dhe obligime të dyanshme dhe i cili mbulon një numër të gjerë sektorësh.

Ajo do të mbështesë implementimin e reformave dhe do t’i japë Kosovë mundësi për të lëvizur më afër Evropës.