Sporti

Mungon në ndeshjen gjysmëfinale ndaj Istogut, Dushi motivon bashkëlojtarët: Kemi mundësinë ta shkruajmë historinë

04/06/2021 18:23
nga:Lorik J

Jeton Dushi do të jetë mungesa e madhe e klubit të Dukagjinit në ndeshjen e nesërme ndaj Istogut.

Dukagjini dhe Istogu takohen nesër me fillim nga ora 15:00 në stadiumin “Demush Mavraj”, në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës, shkruan GazetaBlic Sport.

Dushi i cili ka pësuar një dëmtim në gjurin e majtë ka theksuar se kjo ndeshje është e rëndësishme për klubin nga Klina.

“Po, është ndeshje e rëndësishme pasi që dihet që është ndeshje gjysmëfinale. Ekipi është i përgatitur në maksimum”, tha fillimisht Dushi për ‘GazetaBlic Sport’.

“Synimi i klubit tonë është ngritja në Superligën e Kosovës, por kemi një mundësi të mirë që të shkojmë në finale të Kupës, kështu që kemi mundesinë që të shkruajmë historinë e klubit dhe kjo është një motiv shtes”, vazhdoi Dushi.

Në fund ai ka folur edhe për Istogun, ku tha se ka statistika të mira në Kupë – por kjo s’i frikëson bashkëlojtarët e tij.

“Istogu ka një skuadër të mirë me futbollistë që kanë disa vite që luajnë së bashku në ekip dhe ka bërë ndeshje të mira, jo nuk na frikësojnë aspak statistikat pasi është fusha ajo e cila e përcakton rezultatin dhe jo statistikat, kështu që ndeshjen e nesërme klubit tim Dukagjinit i dëshirojë fitore”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport