Euro2024

Mundësitë e Shqipërisë për të kaluar grupet – këto janë kombinimet që i dërgojnë ‘kuqezinjtë’ në fazën eliminuese

06/21/2024 12:14
nga:E K

Kampionati Evropian, “Euro 2024” po dhuron emocione më të veçanta për fansat e futbollit shqiptarë.

Shqipëria me pjesëmarrjen e saj në Kampionatin Evropian që po mbahet në Gjermani po paraqitet në mënyrë tejet dinjitoze duke bërë krenar shqiptarët anë e mbanë globit, shkruan GazetaBlic Sport.

Në grupin që cilësohet si ‘i vdekjes’ Shqipëria ka arkëtuar tashmë një pikë ndaj Kroacisë në barazimin 2-2, kurse u mposht nga kampionët në fuqi të Evropës, Italia. Pavarësisht se ‘kuqezinjtë’ ishin duke avancuar që nga minuta e parë me golin e Nedim Bajramit që edhe theu rekordin për golin më të shpejt të realizuar në histori të Kampionateve Evropiane [pas 23 sekondave], Shqipëria nuk arriti ta mbante avantazhin duke humbur ndeshjen e parë të grupit B.

Situata në grupin B tashmë është e qartë sa i përket kundërshtarit të ardhshëm të Shqipërisë, Spanjës që siguroi kualifikimin tutje me fitoren e mbrëmshme ndaj Italisë [1-0], duke bërë që spanjollët të hyjnë në ndeshjen ndaj Shqipërisë pa presionin e pikëve dhe me shumë mundësi edhe me rotacione të shumta për të ruajtur lojtarët kyç për fazën tjetër.

Ndërkohë, rivalët tjerë, Italia dhe Kroacia do të përballen mes vete në xhiron e fundit ku do të jetë edhe determinuese për skuadrat që kalojnë tutje.

Aktualisht, Italia ka 3 pikë në vendin e dytë – Shqipëria e treta me një pikë, aq sa ka edhe Kroacia në vendin e fundit, por me gol-dallim më të dobët se ‘kuqezinjtë’.

POR, si kalon Shqipëria tutje?

Nëse Shqipëria arrin të ‘pamundurën’ duke fituar ndaj Spanjës atëherë kuqezinjtë do të jenë në fazën tjetër, qoftë edhe nga vendi i tretë, pavarësisht rezultatit të ndeshjes tjetër mes Kroacisë dhe Italisë.

Në rast se Shqipëria barazon me Spanjën atëherë, Kroacia nuk duhet të fitojë ndaj Italisë në mënyrë që Shqipëria të mbetet në vendin e tretë dhe të shpresoj që të jetë në ‘Top 4’ skuadrat më të mira nga vendet e treta.

Nëse, Kroacia dhe Shqipëria fitojnë ndeshjet e tyre respektive, atëherë –  Shqipëria do të pozicionohej në vendin e dytë në grupin B [përderisa Italia nuk mposhtet me +3 gola diferencë], duke lënë pa kaluar grupet kampionin në fuqi, Italinë.

Shqipëria në këtë skenar do të kualifikohej nga vendi i dytë edhe pse ka pikë të njëjta me Kroacinë, por që kuqezinjtë aktualisht kanë gol-dallimin -1 e që do përmirësohej në rast fitores potenciale ndaj Spanjës, ndërsa Kroacia ka gol-dallimin -3.

/GazetaBlic Sport.