Lajme

Mundësia e prishjes së koalicionit me LDK-në, vjen reagimi i Vetëvendosjes

03/18/2020 14:19
nga:Norë Kelmendi

Kryeministri Albin Kurti ka shkarkuar ministrin Agim Veliu, shkruan GazetaBlic.

Zyra e kryeministrit të Kosovës, përmes një kumtese për media, thotë se mbrëmë vonë, pas mesnate, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, është deklaruar kundër qëndrimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Pas njoftimit zyrtar të kryeministrit Kurti për shkarkimin e Veliut, reagoi edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili tha se vendimi i Kurtit ishte një shkelje e marrëveshjes, duke e ftuar Kurtin qe ta tërheqë vendimin për Veliun si dhe ta heqë edhe tarifën ndaj Serbisë, në të kundërtën do të rrezikohej koalicioni VV-LDK.

“Kjo është shkelje e Marrëveshjes së koalicionit. Me marrëveshje kemi përcaktuar se ministrat mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon Kryetari i LDK-së. Si kryetar i LDK-së nuk jam konsultuar nga Kryeministri dhe aq më pak i pranoj arsyet e tij te bëra publike. Kërkoj nga Kryeministri të anuloj vendimin për shkarkimin e z. Veliu dhe të merr vendim per heqjen e taksës deri në fund të javës. Veprimet e njëanshme të Kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe qojnë në prishje të koalicionit”, ka thënë Mustafa.

Edhe qëndrimet e tjera nga zyrtarë të tjerë të LDK-së, thonin se Kurti ka gabuar në një vendim të tillë, dhe ka vendosur në kundërshtim me marrëveshjen.

Por sipas nënkryetarës së Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, Ministri i Punëve të Brendshme, në një situatë të tillë me të cilën po përballet vendi, është i rëndësishëm, dhe si i tillë duhet të jetë në të njëjtën vijë me qeverinë.

Nagavci tha për GazetaBlic se qëndrimet e ndara nuk i bëjnë mirë askujt, pa dashur të komentojë shkarkimin e Veliut.

“Secili prej ministrav duhet që duhet ti diskutojë në qeveri qëndrimet e tij, roli i ministrit i punëve të brendshme është i jashtëzakonshëm dhe roli i tij duhet të jetë në një vijë me Qeverinë, qëndrimet e ndara në një situatë të tillë nuk na bëjnë mirë”, tha Nagavci për GazetaBlic.

Ndërkaq Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se këtë të mërkurë ose të enjte Lidhja Demokratike do të mbledhë organin e saj udhëheqës për t’i dhënë përgjigjie finale partnerit të koalicionit Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes.