Kandidati për deputet nga LDK-ja, Besim Mulaj, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për mbrojtjen e korrupsionit dhe dështimin në trajtimin e rasteve të tilla, duke përmendur konkretisht rastin e Rozeta Hajdarit.
Ai theksoi se, edhe pse qeveria e kishte pranuar keqpërdorimin e 300 mijë eurove, asnjë hap nuk ishte marrë për të adresuar këtë çështje dhe se, sipas tij, Kryeministri Kurti duhet të kishte shkarkuar Hajdarin.
“Kjo Qeveri e ka mbrojtë korrupsionin, edhe rasti Rozeta Hajdarit e konfirmon këtë, sepse patë thënë: “Nuk janë 600 mijë që janë keqpërdorur, por 300 mijë euro”. Në aspektin popullor, hajnia është si t’I vjedhës 1 euro, si 100 mijë, varet cilën guxon me vjedhë. Kurti nuk e ka marrë asnjë hap për rastin e Hajdarit, mendoj se të paktën për atë është dashtë të ketë dorëheqje. Kurdo, që vjen një qeveri tjetër do të hetohet. Kjo qeveri për tre vite s’ka bërë asgjë, në këtë vitin e fundit ka provuar pak ta zhvillojë çështjen e infrastrukturës dhe disa çështje të tjera”, tha Mulaj.
Mulaj ka theksuar se, për tre vite, kjo qeveri ka dështuar të realizojë premtimet e saj për zhvillim ekonomik, ndërtimin e shkollave dhe rrugëve, si dhe hapjen e vendeve të punës. Ai ka akuzuar qeverinë për mungesë progresi dhe për një rritje të pagave jashtë ligjit, duke theksuar se kjo rritje nuk mund të bëhej pa ndikuar në koeficientët e pagave.
Mulaj ka shprehur besimin se VV-ja nuk do të dalë fituese në zgjedhje dhe ka apeluar për krijimin e një qeverie të re, që mendon për interesat e qytetarëve dhe jo për përfitime të ngushta partiake.
“Kurti ka filluar të marrë hov, në mënyrë që ta ndalojë këtë rënien që e ka tek elektorati. Kjo shihet çdo ditë, sepse as nuk i ka ndërtuar shkollat, çerdhet, rrugët dhe as nuk ka kurrfarë zhvillimi ekonomik, shto këtu që nuk ka as hapje të reja të vendeve të punës”, tha Mulaj.
“Ata i kanë jap disa ndihma, që janë afat-shkurta. Rritjen e fundit që e ka bërë, e ka bërë jashtë ligjore, sepse nuk mundet me prek koeficientin. Nëse do të duhej të rriste pagat, duhet të rritej vlera monetare”.
“Unë pres që VV’ja mos të dalë e para dhe të krijohet një qeveri e cila është e shëndosh dhe mendon për të mirën e qytetarit. Nuk e shoh VV’në në pushtet, në asnjë variant”, shton ai për Blic Interview me Astrit Gashin.