Eksperti i ekonomisë, Arton Muhaxheri, thotë se humbja prej rreth 131 milionë eurosh për shkak të energjisë së papaguar në veri përgjatë periudhës 2021-2023, është një peshë e rëndë jo vetëm financiarisht por edhe politikisht, raporton GazetaBlic.
Muhaxheri në një prononcim për GazetaBlic, tha se këto nuk janë thjeshtë një humbje teknike por janë para të buxhetit që është dashur të shkojnë për investime dhe shërbime publike.
“Gjatë viteve 2021–2023, humbja prej rreth 131 milionë eurosh për shkak të energjisë së papaguar në veri është një peshë e rëndë, jo vetëm financiarisht, por edhe politikisht. Këto nuk janë thjesht “humbje teknike” – janë para të buxhetit që është dashur të shkojnë për investime, shërbime publike, ose ulje të barrës së qytetarëve, por në vend të kësaj janë përthithur nga një situatë e zgjatur pa përgjegjësi dhe pa kontroll real”, tha ai.
Ndër të tjera ai tregon se problemi ka dy dimensione, atë ekonomik sepse sipas tij një dëm i till e shtyen operatorin energjetik drejt presionit financiar, kurse politik sic thekson ai është një tregues i mungesës së zbatimit të plotë të sovranitetit.
“Problemi ka dy dimensione: Ekonomik, sepse një dëm i tillë e shtyn operatorin energjetik drejt presionit financiar dhe rrit rrezikun që qytetarët e pjesës tjetër të vendit të mbajnë barrën; dhe politik, sepse vazhdimi i konsumit pa pagesë në veri është tregues i mungesës së zbatimit të plotë të sovranitetit dhe i një menaxhimi që ka lejuar krijimin e një precedenti të keq”, vlerësoi ai.
Muhxheri, tutje tregon se dëmi i kësaj natyre nuk zgjidhet me deklarata por me vendosmëri institucionale.
Për fund ai tregoi se energjia s’është vetëm çështje teknike por ësgtë çështje e drejtpërdrejtë e funksionimit të shtetit dhe seriozitetit të institcioneve.
“Një dëm i kësaj natyre nuk zgjidhet me deklarata, por me vendosmëri institucionale: regjistrim real të konsumatorëve, faturim të rregullt, inkasim dhe, mbi të gjitha, zbatim të ligjit njësoj për secilin qytetar, pavarësisht zonës. Përndryshe, çdo vit do të flasim për të njëjtin problem, vetëm me shifra më të mëdha. Nëse ka një mësim nga kjo periudhë, është se energjia s’është vetëm çështje teknike – është çështje e drejtpërdrejtë e funksionimit të shtetit dhe seriozitetit të institucioneve”, përfundoi ai për GazetaBlic.


