Lajme

Muharrem Nitaj: Zgjedhjet nuk i konvenojnë askujt në këtë kohë!

05/26/2018 16:35
nga:Gazeta Blic

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj është shprehur kundër vullnetit të PDK-së dhe partive tjera opozitare për shkuarje në zgjedhje të reja parlamentare. Kjo pasi që sipas tij, qeveria “Haradinaj” është duke i kryer detyrat e saj dhe zgjedhjet e parakohshme nuk do të ishin në interes të askujt.

Kështu u shpreh ai në një prononcim për “Gazeta Blic” si reagim ndaj deklaratave të deputetës së Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu e cila tha se partia e saj është e gatshme për të shkuar në zgjedhje të reja, me bindje se do të dalin sërish fitues.

“Të gjitha partitë dhe gjithmonë thonë se janë të gatshme për zgjedhje. Së çka mund të thonë ato? Aman mos bëni zgjedhje se nuk jemi gati a! Çështja e zgjedhjeve është temë e stisur. është temë e sajuar. Askush nuk i do zgjedhjet në këtë kohë. Kushdo që flet për zgjedhje nuk është i sinqertë”, tha Nitaj, duke shtuar se “çështja e zgjedhjeve edhe për një kohë relativisht të gjatë, do të mbetët vetëm temë mediatike e asgjë më tepër.”

Duke aluduar tek gatishmëria e PDK-së dhe partive në opozitë për zgjedhje të reja, Nitaj tha se po bëhet “shumë zhurmë për asgjë”. Ai pati kritika edhe për tryezat që së fundmi janë organizuar në vend lidhur me çështjet aktuale në vend, duke akzuar se ato po shndërrohen “në instrument marketingu e jo nevojë e debatit për zgjedhje.”

Më tej, Nitaj tha se Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Qeveria përtej “deklaratave populiste”, siç u shpreh ai, janë duke i kryer punët e shtëpisë shumë mirë.

Ndryshe, deputetja Musliu ka deklaruar sot për media se partitë e tjera nuk janë të gatshme që t’i hyjnë një procesi zgjedhor.

“Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme sa janë partitë e tjera politike në Kosovë për të shkuar në zgjedhje dhe konsideroj që nesër nëse shkojmë në zgjedhje prapë se prapë PDK-ja do të jetë pjesë e Qeverisë dhe fituese e zgjedhjeve”, tha Musliu, për EO.

Por edhe LDK-ja është duke kërkuar vazhdimisht zgjedhje sepse vlerëson se Qeveria Haradinaj ka humbur legjitimitetin, kurse Kuvendi sipas saj është jo funsksional. Pro zgjedhjeve është deklaruar edhe Lëvizja Vetëvendosje. /Gazeta Blic/

01/23/2019 17:40

Demhasaj: Taksa do të hiqet ndaj Serbisë, ky do të jetë efekti i saj për vendin. Marrëveshja nga dialogu e çon vendin në zgjedhje!