Lajme

Muharrem Nitaj: Nesër presim lirimin e Ramush Haradinajt

03/01/2017 10:11
nga:Gazeta Blic

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pret që lideri i saj Ramush Haradinaj të lirohet nga Gjykata e Colmanit në Francë.

I arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Basel-Mulhouse në Francë me katër janar të këtij viti me një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia e cila e akuzon për krime lufte, Haradinaj pret vendimin për ekstradim ose jo në shtetin serb nga Gjykata e Colmanit në Francë.

“Ne presim lirimin e tij. Ai është i pafajshëm dhe këtë e ka dëshmuar disa herë”, ka thënë Muharrem Nitaj, anëtari i Kryesisë së AAK-së, për klankosova.tv.

Bazuar në deklaratën e Nitajt, Haradinaj do të mund të kthehet në vendin e tij, posa Gjykata ta shqiptojë se ai është i pafajshëm.

“Besoj se ai është i lirë të kthehet në Kosovë në momentin që Gjykata ta japë vendimin për lirimin e tij”.

I arrestuar në fillim të muajit janar, Haradinaj me datën 12-të të muajit të parë të këtij viti, ishte liruar me kusht, mirëpo ai s’mund të ishte plotësisht i lirë pa e përgatitur Serbia lëndën për ekstradimin e tij.

Pas seancës gjyqësore të mbajtur me 12-të janar, avokatja mbrojtëse e Haradinajt, Rachel Lindon, kishte thënë se kërkesa e Serbisë që ai të ekstradohet brenda territorit të këtij shteti, nuk ka asnjë bazë ligjore në të Drejtën Ndërkombëtare.

Ajo po ashtu, kishte deklaruar se nuk beson që Serbia të ketë fakte të reja për Haradinajn dhe mendon se asnjë gjykatë serbe nuk do ishte kompetente ta gjykojë ish-kryeministrin e Kosovës.

Në anën tjetër, Kryesia e Degës së AAK-së në Pejë, në një takim të zhvilluar të martën, kishte konstatuar se mbajtja e Haradinajt në Francë është veprim politik që ndërlidhet me paralajmërimet për dërgim në Kuvend të Marrëveshjes për ratifikim të Demarkacionit me Malin e Zi.

Arrestimi i liderit të partisë opozitare kosovare, është e vetmja çështje që kohëve të fundit ka bërë bashkë pozitën dhe opozitën e Kosovës.

Nga krerët e shtetit e përfaqësues të institucioneve vendore, arrestimi i Haradinajt me fletëarrest të Serbisë, është dënuar e është bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij me arsyetimin se ai kishte luftuar në mbrojtje të vendit dhe se gjykatat ndërkombëtare e kishin liruar nga të gjitha akuzat.

03/14/2020 23:06

Ish- deputeti me akuza ndaj Qeverisë Kurti: Sa për dijeninë e turpin tuaj, sot në Prishtinë, për kiamet s’mund ta gjesh një maskë