Ka një muaj që Ministria e Shëndetësisë po funksionon me ushtrues detyre, Qeveria ende pa një kandidat.
Ministria e Shëndetësisë, e cila nga fillimi i pandemisë është përballur me shumë punë, aktualisht po drejtohet nga Dafina Gexha Bunjaku që mban pozitën e ushtrueses së detyrës.
Ish-ministri, Arben Vitia ishte deklaruar se pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve nuk do të kthehet në krye të këtij institucioni.
Por a ka qeveria Kurti një emër tjetër që do të emërohet ministër i Shëndetësisë?
Tash e 10 ditë, T7 ka dërguar pyetje në Zyrën e Kryeministrit në lidhje me këtë çështje, por të njëjtit s’janë deklaruar.
Këtë situatë po e cilëson si neglizhencë të ekzekutivit, ish-ministri Armend Zemaj.
Zemaj e cilëson të domosdoshëm emërimin e ministrit të ri, tash kur po paralajmërohet vala e re e Covid 19.
Kolegu i Zemajt në komisionin Parlamentar, deputeti Shemsedin Dreshaj megjithatë nuk e cilëson shumë të rëndësishëm rolin e ministrit në situatën me pandeminë.
Sipas ligjit institucionet shtetërore kanë të drejtë të funksionojnë me ushtrues detyre 3 muaj.