Cult

Mozaiku poetik i Sali Bashotës në librin “asnjë Zë tjetër”

01/07/2019 12:55
nga:Gazeta Blic

Besa Hoxha Beqiri

Sali Bashota është poeti i frymëzuar nga, siç thotë ai, pajtueshmëria dhe papajtueshmëria e jetës me gjithë përbërësit e saj.( Sali Bashota, Ego, Kosova Pen Center, Prishtinë, 2014, f. 15.). Bota krijuese e këtij poeti, të përkthyer në shumë gjuhë të botës, kurorëzuar tani më me përmbledhjen e tij të trembëdhjetë të poezive, pasurohet edhe më tepër me forma të reja të shkrimit poetik. Mozaiku i pasur i motiveve dhe strukturës së poezisë së tij në përmbledhjen “asnjë Zë tjetër”, sjell lojën poetike, me anë të shkronjave, qysh në titull, tek zëri, që paraqet atë të poetit.

Në vargjet e Bashotës gjejmë pjekurinë artistike të përdorimit të situatave të ndryshme, qoftë personale, shoqërore apo kombëtare, në shfaqjen e dhembjes, krenarisë apo edhe guximit, por edhe ndjeshmërisë njerëzore. Një gjë të tillë e bënë edhe me përkushtimin e librit poetit të mirënjohur dhe mikut të tij Basri Çapriqi, ndërsa në poezinë për të me mjeshtëri, duke përdorur simbolet e vetë Çapriqit, portretizon magjikën e fjalëve të bukura.

Simbolika e theksuar është përcjellëse e vargjeve të Bashotës. Filluar që nga numri i poezive në këtë përmbledhje, 59, numër ky që është i vitit të lindjes së poetit e njëkohësisht vjet e tij, flet mbi elementin e përmbushjes së strukturës së veprës edhe në aspektin simbolik – numrit. Nga ana tjetër, ndarja në tre kapituj, mbanë lidhshmërinë e poetit me letërsinë gojore – numrin 3, gjë që ka qenë përcjellëse e vazhdueshme e shkrimeve të tij.

Ëndrra është simboli që përshkon një numër të poezive të kësaj përmbledhjeje. Aspekti i të pakapshmes, por edhe mosdorëzimi për të arritur përmbushjen e dëshirave njerëzore, të pranueshme apo jo, ndërthuren në këtë simbol. Simboli i ëndrrës përdoret në kontekte të ndryshme, si: Fëmijët i palosin ëndrrat mbi shpirtin tim; Një ëndërr/Duke ther murin/Zgjohet nga e papritura; lejlekët e ëndrrës; shkurtoja gjuhën ëndrrave; duke dalë si asnjëherë më parë përtej kafazit të ëndrrave; Mbishkrimi i ëndrrës së bukur; etj. Pena e mprehtë e poetit, gërsheton edhe simbolet, si: gjarpri, hëna, jeta, vdekja, dashuria, dhembja, mallëngjimi, etj., ndërsa jo një herë kemi kontrastin bardhë/zi.

Çdo cikël i përmbledhjes i ka karakteristikat e veçanta. Në ciklin e parë “Nishani”, kemi vargun e lirë me refrene të vargjeve apo fjalëve të caktuara, me një strukturë jo të njëjtë të vendit të përsëritjes, apo edhe ndryshime të vogla të radhitjes së fjalëve, me qëllim të theksimit të elementit apo mendimit të caktuar, si: Poetët nuk vdesin më pate thënë me Prapë përshpërite se poetët nuk vdesin; ose Ra kjo ëndërr e përfundoi dhembja (vargu i parë), derisa në të fundit ndryshon dhembja me mallkimi; mirëpo, kemi edhe përsëritje të plota të vargjeve të njëjta.

Nga ana tjetër, përdorimi i anaforës, në raste të shpesha të këtj cikli, jep forcën e fjalës dhe venë theksin tek aspekti i fuqisë së përsëritjes, gjë që e bënë edhe me epiforën, apo edhe simplokën. P.sh. Përse marrim frymë/Përse shirat e lagin vetminë/…Përse ka kaq shumë dhembje/Përse ka kaq pak mëshirë apo Qielli tjetër/Toka tjetër/Zjarri tjetër/Ajri tjetër, si dhe Ndoshta për të mos vdekur/Për të mos vdekur kurrë më.

Sa i përket motiveve dhe llojit, në këtë cikël poeti prek dellin e mallëngjimit si rezultat i dhimbjes personale dhe kolektive. Elegjitë për babain, miqtë apo vendin e humbur, por nga ana tjetër edhe përpjekja për zgjimin e ndërgjegjes, si dhe përpjekjet për ndryshime dhe dilemat njerëzore të përditshmërisë, janë motivet që e përmbushin ciklin në fjalë.
Cikli i dytë “Mënjanë” më tepër ka poezi meditative. Poeti paraqet një llojllojshmëri të aspekteve të ndryshme dhe prek botën e brendshme njerëzore.

Ndërlidhja e ndjenjave me ndikimin e rrethanave, përdorimi i simboleve kosmopolite, por edhe tokësore i japin veçantinë këtij cikli. Aq më tepër, ndarja e poezive herë në strofa tre e herë katër vargëshe, numri i ndryshëm i rrokjeve, ndryshon ritmin nga poezia në poezi, varësisht nga thellësia dhe ndjeshmëria e përjetimit të përcjellur. Nga ana tjetër, çdo varg dhe fjalë në këto poezi tregon thellësinë e shprehjes dhe kërkon nga lexuesi përkushtim në zbërthimin e tyre. Kështu, Shkallët e pritjes/Çdo ditë rënkojnë/Me melodinë e njëjtë apo Për të prekur të bardhën e vet/Ikën të gjitha zanat e bukura/Kur pikojnë lotët e heshtjes.

Cikli i fundit “Afshi” përfshin poezitë erotike. Karakteristikë e këtij cikli është metrika e rregullt e poezive, përveç tetë të fundit, të cilat kanë një formë jo të rregullt, janë më tepër proza poetike.

Dashuria është një motiv përcjellës i krijimtarisë së Bashotës. Vargjet e tij paraqesin bukurinë e të dashuruarit, por edhe peshën e mallit. Poeti në vargjet e dashurisë mbetet i ri në shpirt dhe përcjell frymën e së bukurës dhe të dëshiruarës. Dashuria plotëson jetën. Unë flas ti hesht dashuria këlthet/Në fund të përqafimit bie urata/Asgjë nuk i ngjan më pritjes së vet/Para fillimit të ëndrrës tashmë fle nata.

Vargjet e Sali Bashotës shtojnë thesarin krijues, jo vetëm të tij, por edhe atë mbarëkombëtar. Përkushtimi i poetit në këto vargje vërehet që nga struktura e deri tek çdo fjalë e vargjeve që plotësisht zë vendin e vet dhe duket që është shkruar me pasion, të ndërlidhur me një kujdes të posaçëm, se…poeti është qenie e mbinatyrshme, i cili shndërrohet në Figurë të Përjetshme. (Bashota, EGO, f.53.).Pikërisht, ashtu siç e ka thënë vetë Bashota, poezia e tij ia jep pavdekësinë, por njëkohësisht edhe të kuptuarit, nga ana e lexuesit, se poezia, vërtet, është mbretëresha e arteve.(Aty, f.52.)