Sporti

Mourinho: Kam marrë informacione nga Pandev në lidhje me Shkëndijën!

09/23/2020 22:35
nga:Lorik J

Futbollistët e Totenhamit, sonte janë akomoduar në Shkup, aty ku nesër mbrëma do të zhvillojnë ndeshjen e raundit të tretë eliminatorë kundër Shkëndijës, njofton “infOSport.mk”.

Anglezët në kryeqendrën e Maqedonisë nuk do të kenë asnjë aktivitet, pasi nuk do të zhvillojnë asnjë stërvitje, ndërsa gjithashtu nuk do të mbajnë as konferencën zyrtare për shtyp.

Trajneri i “Spurs” informacionet rreth ekipit “kuqezi” thotë se i ka marrë nga ish lojtari i tij te Interi, Goran Pandev, skuadra e të cilit fundjavën që lamë pas ishte pikërisht kundërshtari i Shkëndijës në Tetovë. Sipas Mourinhos, Shkëndija është në nivel të skuadrës bullgare, Lokomotiva Plovdiv, me të cilën skuadër Totenhami ishte takuar në kuadër të raundit të dytë eliminatorë të Liga Europa. Në atë ndeshje Totenhami me shumë vështirësi regjistroi fitore 2:1.

“I kemi analizuar dhe kishim një analist. Unë kam thirrur edhe ish lojtarin tim, Pandevin, pasi që është pronar i ekipit që luajti së fundmi me Shkëndijën. E njoh stadiumin, kam luajtur në atë stadium finalen e Super Kupës së Europës. Do të thoja se është në nivel të ngjashëm të oponentit bullgar. Ne jemi më të mirë, por duhet të shënojmë gola që të jemi më të mirë se ata. Në Plovdiv të gjithë e dijnë se nuk bëmë një ndeshje të keqe, pasi mendojë se kishim një ndeshje pozitive. Mirëpo ishte vështirë dhe shpresojmë që nesër të jemi në nivelin e duhur” – tha Joze Mourinho.

Ndeshja ndërmjet Shkëndijës dhe Totenhamit në program është nesër mbrëma me fillim në ora 20:00 në arenën “Todor Proeski”.