Sporti

Moreno e refuzoi Kosovën, Batatina: Kam plan-projekt dhe njohuri, mora informacionet e duhura edhe nga Sylvinho

12/14/2023 14:35
nga:Mergim Rreci

Trajneri kosovar, Tahir Batatina ka reaguar pasi që spanjolli Roberto Moreno ka refuzuar ofertën për të qenë në krye të shtabit teknik të Kosovës.

Batatina ka shprehur interesim prej kohësh për të qenë trajner i ri i ‘Dardanëve’, kurse në një intervistë për ‘GazetaBlic Sporttha se ky refuzim është një dëshmi e qartë që Kosovës i duhet një trajner shqiptar.

“Trajneri në fjalë nuk kishte ndonjë bagazh ose ndonjë kualifikim më të madh, pra që e bënte dallimin. E kam thënë prej kohësh se Kosovës i duhet një trajner shqiptar, që e njeh mentatlitetin e kombëtares dhe futbollistëve tanë, si dhe natyrën e problemeve. Nuk duhet të ketë shumë lutje për trajnerët e huaj, sepse ne kemi futbollistë me shumë potencial, por edhe për faktin se emrat e përmendur deri më tash nga trajnerët e huaj nuk kanë ndonjë diferencë me neve trajnerëve shqiptarë”, tha fillimisht Batatina.

Batatina tha se po harton një plan-projekt se si do të duket Kombëtarja e Kosovës nën drejtimin e tij, kurse tha se mori informacione dhe këshilla edhe nga trajneri Sylvinho.

Dje isha në seminar me Sylvinhon, trajnerin e Kombëtares së Shqipërisë, me të cilin diskutuam edhe për të ardhmen e Kosovës. Nga ai mora informacione të mjaftueshme për rritjen e nivelit që ka bërë tek Shqipëria. Mora këshillat dhe informacionet e nevojshme nga ana e tij. Unë poashtu kam filluar me hartimin e një projekti se si do të duket struktura organizative tek Kosova, nëse unë do të bëhem trajner. Aty përfshihet synimi për kualifikim në Kampionatin Botëror dhe Evropianin e ardhshëm. Me anë të një stafi profesional do t’i arrijmë këto suksese. Ashtu si trajneri Sylvinho, unë do të kem tre video-analistë si pjesë e ekipit tim. Dua ta nxjerr Kombëtaren e Kosovës nga kjo situatë, kam njohuri dhe përgatitje, sepse kemi super futbollistëve, duhet vetëm një lider i duhur”, përfundoi Batatina.

/GazetaBlic Sport/