Kapiteni i Spanjës, Alvaro Morata, foli për mediet në prag të finales ndaj Anglisë në EURO 2024, ndërsa theksoi se do të jetë një ndeshje e vështirë.
I pyetur për mundësinë e ngritje së trofeut të Europianit në qiell, spanjolli deklaroi se nuk mund ta imagjinojë se çfarë ndjenje mund të jetë.
“Është e dobishme të mendosh dhe imagjinosh gjëra pozitive. Megjithatë ne kemi ende për të luajtur një finale kundër një ekipi të madh si Anglia, besoj se do të jetë e vështirë. Nuk mund ta imagjinoj dhe nuk mund ta përshkruaj se si do të ishte për mua ngritja e trofeut si kapiten”-tha ai.
Më tej, kapiteni i Spanjës shtoi se tani duhet t’u kushtojnë shumë rëndësi detajeve dhe se koha për të festuar do të vijë pas ndeshjes.
“Duhet t’u kushtojmë vëmendje maksimale shumë rrethanave. Do të ketë kohë për t’u argëtuar dhe për t’u gëzuar. Nëse shkon mirë, do të festojmë. Nëse nuk shkon mirë, do të jetë ndryshe, ne do vuajmë për disa ditë, pastaj do jemi sërish të lumtur për rrugëtimin e shkëlqyer dhe shumë të vështirë që patëm për në finale, për eksperiencat që kemi ndarë të gjithë së bashku dhe përfundojmë këtë periudhë fantastike së bashku”-përfundoi Morata.