Debat

Modernizimi vs. Lufta Hibride

11/06/2019 11:57
nga:Burim Ramadani

Duhet të jemi të vetëdijshëm për Luftën Hibride si kërcënim serioz. Rruga më e mirë e përballjes ndaj kësaj është vazhdimi i modernizimit të institucioneve të sigurisë, si në sistemet e pajisjeve dhe komunikimit, po ashtu edhe në programet nacionale për ngritje të kapaciteteve të specializuara dhe vetëdijësimit publik.

Modernizimi është përgjigja më e mirë e përbashkët ndaj Luftës Hibride. Ngritja e kapaciteteve, rritja e vetëdijësimit dhe përballja me luftën (dez)informative është domosdoshmëria për të garantuar sigurinë kombëtare në ‘epokën hibride’.

Rasti i Kosovës është krejtësisht i qartë në nevojat dhe kërkesat e sigurisë kombëtare. Përparësia e institucioneve të reja të sigurisë është një aspekt që duhet promovuar vazhdimisht. Asnjë prej institucioneve të sigurisë në Kosovë nuk vuan nga e kaluara e vet apo e popullit të vet.

Shiheni dallimin që sektori i sigurisë së Kosovës ka me shtetet në rajon. Pothuajse të gjitha vuajnë nga njëri prej dy elementeve jashtëzakonisht të vështira për qeverisjen demokratike të sektorit të sigurisë: ose kanë trashëgimi komuniste ose kanë trashëgimi të dhunshme e gjenocidiale. Serbia, në këto aspekte, është rasti më i rëndë: edhe ka trashëgimi komuniste, edhe ka trashëgimi gjenocidiale.

Prandaj, në Ballkanin Perëndimor, Kosova paraqet rast krejtësisht të ndarë dhe të përparuar. Mund të jetë që Kosova nuk ka avantazh pajisjesh apo buxheti, sepse kjo patjetër që duhet të jetë proporcionale me zhvillimin e gjithmbardhëm të shtetit dhe nivelin e GDP-së së saj. Porse, koncepti, përmbajtja, doktrina, lidershipi, sistemet, edukimi dhe qeverisja demokratike është përparësi e dukshme për shtetin tonë.

Tashmë, pavarësisht nëse duam ta pranojmë, Ballkani është i ndarë në dy zona për influencuesit botëror. Derisa shumica e shteteve në Ballkan, përfshirë këtu edhe Kosovën, është zonë e konsolidimit të demokracisë liberale, pjesa tjetër kryesisht Serbia dhe një pjesë e Bosnjë e Hercegovinës është e hapur krejtësisht ndaj influencusve armiqësorë që nuk kanë të bëjnë me demokracitë. Pra, ndaj Rusisë, Kinës apo ndokujt tjetër.

Kështu, Serbia dhe pjesa serbe e Bosnjës paraqesin celulën e shtrirjes së influencës armiqësore të këtyre shteteve jodemokratike. Vlerat që këta influencues përhapin në Ballkan janë vlera jodemokratike, sisteme rigjide autokratike dhe synime destabilizuese.

Në të vërtetë, elitat politike në shtetet jodemokratike mbajnë veten përmes krizave dhe destabilizimit. Të këtillë e kanë synimin edhe në Ballkan. Pra, të shkaktojnë kriza të vazhdueshme, të iniciojnë destabilitet rajonal, të pengojnë konsolidimin e demokracisë në mënyrë që të largojnë Ballkanit nga rruga për integrime euro-atlantike.

Të gjitha këto synime tentohen të arrihen përmes Luftës Hibdride, e cila në thelb është një strategji ushtarake që përfshinë luftat politike, luftat e parregullta, luftën kibernetike dhe metoda të ndryshme të influencimit, përmes lajmeve të rrejshme, diplomacisë, ndërhyjes në zgjedhje dhe në proceset demokratike.

Në përgjithësi, duhet të jemi të vetëdijshëm për Luftën Hibride si kërcënim serioz. Rruga më e mirë e përballjes ndaj kësaj është modernizimi i institucioneve të sigurisë, si në sistemet e pajisjeve dhe komunikimit, po ashtu edhe në programet nacionale për ngritje të kapaciteteve të specializuara dhe vetëdijësimit publik.