Shkumbin Misini, profesor dhe ekspert i ekonomisë në EURO n’T7, ka thënë se sot lufta më e madhe ndër shtete është tërheqja e sa më shumë investitorëve të huaj dhe këta investitorë si kërkesë primare kanë furnizimin e rregullt me energji, të cilin shteti ynë nuk mund t’ua ofrojë.
Përveç kësaj, sipas Misinit, kërkesë specifike e bizneseve është që përveç furnizimit të rregullt me energji të mos ketë as rënie të tensionit, sepse kjo mund t’u shkaktojë edhe prishje të pajisjeve të tyre.
“Dhe jo vetëm bizneset, por edhe qytetarët po kanë probleme të mëdha si pasojë e mungesës së energjisë, p.sh. momenti që ti mbetesh në lift, brenda teje krijohet stres dhe frikë për jetën. Pastaj vjen nga puna dhe prapë s’ka rrymë, detyrohesh me dalë dhe me ngrënë drekën jashtë në vend se ta bësh në shtëpi, dhe kur kthehesh duhet të blesh edhe ujë sepse tashmë është ndalur edhe uji dhe kjo është e tmerrshme”, ka thënë Misini.
Në anën tjetër, dallimi i madh mes importit dhe eksportit, sipas Misinit, e obligon edhe më shumë shtetin tonë që t’i mbështesë prodhuesit vendor, ndërsa mungesa e energjisë po i bën të pabarabartë prodhuesit vendor me importuesit.
“Mungesa e energjisë elektrike ua rrit edhe më shumë kostot operative prodhuesve vendor dhe në momentin që ua rrit këto kosto, bizneset kosovare janë të pabarabarta karshi bizneseve të Ballkanit Perëndimor. Sa unë kam informacion, bizneset në Ballkanin Perëndimor nuk kanë probleme me energjinë elektrike, ndërsa problemet që kanë prodhuesit tanë me energji elektrike i shtyjnë ata që t’i rrisin çmimet, sepse kostot janë të papërballueshme dhe kjo pastaj i bën të pabarabartë me prodhuesit e tjerë, sepse prodhuesit e huaj dalin me çmime më të ulëta se prodhuesit tanë. Pastaj konsumatori, duke marrë parasysh edhe gjendjen financiare, zgjedh atë që është më i liri”, ka shtuar Misini.
Përfundimisht, sipas Misinit, prodhuesit kosovarë janë të pabarabartë në tregun vendor me prodhuesit e huaj dhe problemet me energji po i detyrojnë që biznesin ta zhvendosin në rajon.


