Lajme

Mishi i prishur i Belgjikës shitej edhe në Kosovë

03/10/2018 17:33
nga:Q F

Në Belgjikë ka shpërthyer një skandal në lidhje me cilësinë e mishit që e konsumojnë qytetarët, pas zbulimit se firma “VEVIBA”, një nga furnizuesit më të rëndësishëm, ka funksionuar në kushte të papranueshme sanitare, dhe ka manipuluar me përmbajtjen e mishit sikurse edhe me etiketat për afatin e përdorimit.

Për herë të parë për mishin e dyshimtë u dëgjua në Kosovë më 2016, kur një sipërmarrës kosovar i paralajmëroi autoritetet belge se nga kompania VEVIBA kishte marrë një dërgesë me mish të prishur.

Për pothuajse dy vjet, kompania ka funksionuar e papenguar deri para pak ditësh kur skandali nisi të trajtohej seriozisht, raporton Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbokroate .

Ky lajm po qarkullon me të madhe në të gjitha mediat belge, pasi që kompania VEVIBA ka furnizuar shumicën e supermarketeve më të njohura në vend. Mediat kanë intervistuar punëtorët e kompanisë të cilët tregojnë për kushte të këqija higjienike të punës sikurse edhe për manipulime të qëllimshme nga ana e pronarëve të kompanisë, transmeton Koha.net.

Në hetim kanë marrë pjesë 20 inspektorë dhe 40 forca policore. Kontrollet e deritashme kanë treguar se pronarët e kompanisë kanë kryer një numër veprash penale. Ndër gjetjet janë edhe pjesë kockash të cilat nuk janë të destinuara për konsum ndërsa janë gjetur në mish të bluar, sikurse edhe lëkurë kafshësh rreth fytit dhe gjymtyrëve. Inspektorët kanë zbuluar po ashtu se edhe data e skadimit që është e shënuar në etiketë nuk është e saktë.

Një punëtor i VEVIBA, i cili ka insistuar të mbetet anonim, për një televizion lokal atje ka konfirmuar se ai personalisht kishte paketuar mishin që ishte i menduar për t’u eksportuar në Kosovë. Në intervistë, ky dëshmitar ka deklaruar se në dërgesën për Kosovë kishin paketuar mish bajat që nuk guxon të konsumohet, transmeton Koha.net. Ai ka sqaruar po ashtu se nga mishin i freskët rrjedh gjak i zakonshëm ndërsa nga mishi që ishte paketuar për Kosovë rridhte lëng i gjelbër ky dëshmitar ka pranuar se edhe personalisht ua ka ndërruar etiketat mishit të cilit veçse i kishte skaduar afati i përdorimit.

Autoritetet belge kanë konfirmuar se shumica e mishit në supermarkete lokale ka qenë e cilësisë së mirë, që nënkupton se mishi bajat ka përfunduar në eksport. Ueb-faqja e kësaj kompania që nga dita e djeshme nuk funksionon më, dhe për rrjedhojë nuk mund të konfirmohet se në cilat vende, përveç Kosovës, ka eksportuar mish kjo kompani. Sipas mediave belge, VEVIBA ka eksportuar mish në tërë Evropën Juglindore dhe në Afrikë.

Ndërkohë, Agjencia Federale për Siguri të Ushqimit (FASFC) ka thënë se ka mbyllur fabrikën përpunimit të mishit “Verbist Group” si dhe frigoriferin “VEVIBA” në Bastogne, në Belgjikën jugore, pas rastit të mashtrimit.

“Kjo mund të jetë me rrezik të lartë, veçanërisht për njerëzit që konsumojnë mish të papjekur, ndonëse për mishin e zier mirë rreziku është më i vogël”, ka thënë Philippe Houdart, ish-zëdhënës i FASFC, për mediat lokale.

09/19/2018 17:02

Xhudistët kosovar mësojnë kundërshtarët për Kampionatin botëror ‘Baku 2018’