Opinion

Mirësia ka rëndësi: Vëmendja që duhet kushtuar shëndetit mendor

05/25/2020 15:09
nga:Violetë Zefi

Violeta Zefi

Java e kaluar, 18-24 Maj, ishte java e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor. E organizuar nga “Fondacioni i Shëndetit Mendor”, kjo javë është një kampanjë vjetore që synon ngritjen e vetëdijes për shëndetin mendor dhe “frymëzimin” e veprimeve për të promovuar mesazhin e shëndetit të mirë mendor për të gjithë njerëzit.

Tema e këtij viti ishte: “Mirësia ka rëndësi”. Fokusi tek mirësia është një përgjigje ndaj COVID-19, pandemi e cila, përveç pasojave në shëndetin fizik, ekonominë apo edhe raportet ndërmjet shteteve, ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në shëndetin mendor të njerëzve.

Derisa gjatë javës se kaluar, në nivel botëror, shëndeti mendor ka pasur një vëmendje të veçantë dhe, në përgjithësi gjatë gjithë periudhës së pandemisë, Kosova vazhdon të mos i jap rëndësinë e duhur shëndetit mendor. Këtu janë për t’u vlerësuar vetëm përpjekjet individuale të profesionistëve të shëndetit mendor, të cilët nëpërmjet platformave të ndryshme përpiqen të rrisin nivelin e vetëdijes në mesin e popullatës në lidhje me rëndësinë që duhet kushtuar shëndetit mendor dhe për alarmin që ngrisin për pasojat afatgjata që mund të këtë pandemia në shëndetin mendor të secilit, në veçanti të atyre që tashmë janë të cenuar nga problemet e shëndetit mendor.

Në një artikull që po lexoja këto ditë për shëndetin mendor dhe ndikimin e COVID-19 në SHBA, ndër të tjera, autorët e kritikonin Amerikën për infrastrukturën e shëndetit mendor duke e quajtur të fragmentuar, të mbingarkuar dhe të nën-financuar. COVID-19 si duket e ka vështirësuar edhe me tutje sistemin shëndetësor amerikan, në veçanti atë të shëndetit mendor. Autorët, në veçanti, kritikojnë Kongresin Amerikan që sipas tyre ka dështuar në këtë drejtim. Sipas tyre pasojat e kësaj do të prekin jo vetëm pacientët dhe familjaret e tyre, por edhe do jenë barrë edhe për taksapaguesit amerikanë.

Kur lexon diçka të tillë natyrshëm fillon të mendosh (pa dashur të bëjmë krahasime) se çka është bërë në Kosovë për shëndetin mendor pas luftë? Po në kohë të pandemisë? Cili ka qenë përkushtimi i personave përgjegjës, ose i politik-bërësve, në raport me shëndetin mendor? Përgjigjet e të gjitha këtyre pyetjeve i dimë tashme, fatkeqësisht nuk janë ato që secili qytetar do të donte t’i merrte.

Statistikat në nivel botëror tregojnë se një në pesë persona të rritur përjetojnë probleme me shëndetin mendor çdo vit, siç përjetojnë edhe një në gjashtë të rinjtë të moshave 6 deri 17 vjeç. Në fakt, vendet e Ballkanit janë shumë të kufizuara sa i përket statistikave të sakta në lidhje me problemet e shëndetit mendor. Megjithatë, në një studim të kryer po në këto vende, ka rezultuar se disa vjet pas përfundimit të luftës, shkalla e përhapjes së problemeve të shëndetit mendor në mesin e njerëzve të prekur nga lufta ndryshojnë nga vendi në vend, por përgjithësisht janë në nivel të lartë. Përvojat e këtyre ngjarjeve traumatike kryesisht kanë rezultuar të jenë të lidhura me ankthin dhe çrregullimet e humorit.

Përkundër faktit se pothuajse të gjithë e njohim dikë, ose e kemi afër dikë, të prekur nga problemet e shëndetit mendor, njerëzit akoma ndihen të turpëruar të flasin për shëndetin mendor. Kjo kryesisht për shkak të nivelit të lartë të stigmatizimit dhe paragjykimeve që e shoqërojnë shëndetin mendor në përgjithësi. Stigmatizimi është rezultat i botëkuptimeve të vjetra dhe të gabuara që njerëzit i kanë pasur në lidhje me këto probleme. Për më tepër, stigma që e rrethon shëndetin mendor mund t’i bëjë njerëzit që të mos kërkojnë ndihmën që ju duhet.

Të pasurit e një problemi të shëndetit mendor nuk është i ndryshëm nga të pasurit e një problemi të shëndetit fizik. Është e rëndësishme të njohësh simptomat, të gjesh mënyrën e trajtimit të tyre dhe të ndërmarrësh hapa për të parandaluar që problemi të rishfaqet. Injorimi i problemeve të shëndetit mendor të vetja, ose tek të tjerët, nuk do t’i bëjë ato që të ikin. Në fakt, mund t’i përkeqësojë.

Problemet e shëndetit mendor janë universale, prekin njerëzit e të gjitha vendeve dhe shoqërive, individët e të gjitha moshave, gratë dhe burrat, të pasurit dhe të varfrit, në zonat urbane apo rurale. Bazuar në të gjeturat e shumë studimeve, faktorët që ndikojnë në shfaqjen e problemeve të shëndetit mendor janë të shumtë, duke filluar nga ato gjenetikë, fiziologjikë, socialë, emocionalë dhe ekonomikë. Kushtet e jetesës, problemet familjare, kushtet e punës, mungesa e shoqërisë dhe kohezionit social, stresi, mbingarkesa si dhe faktorë të tjerë, ndikojnë shëndetin tonë mendor.

Aktivitetet promovuese në nivel komunitar, lokal si dhe atë shtetëror janë shumë të rëndësishme për rritjen e ndërgjegjësimit ndaj shëndetit mendor. E para, kërkohen politika afatgjata për të përmbushur nevojat e shëndetit mendor të popullatave të prekura nga këto probleme dhe njëkohësisht adresim i duhur për t’i parandaluar ato. E dyta, kërkohet hartimi i një plani eksplicit financiar për të implementuar këto politika afatgjata për shëndetin mendor.

Kjo pandemi është një mundësi e mirë për të rikonsideruar qasjen ndaj kujdesit të shëndetit mendor në tërësi, ku kryefjalë do të ishte adaptimi i një vizioni dhe krijimi i një sistemi të integruar të shërbimeve që do të përfshinin: kopshtet, shkollat, burgjet, spitalet dhe institucionet tjera relevante. Natyrisht, një sistem i tillë kërkon vullnet nga politik-bërësit dhe, në të njëjtën kohë, një plan të detajuar nga ekspertë multidisiplinar.

E rëndësishme është që të avokohet për një shoqëri që tregon mirësi për grupet e prekura nga problemet e shëndetit mendor për gjatë gjithë vitit, e jo vetëm në data të shënuara, si kjo e shëndetit mendor. Profesionistët e shëndetit mendor janë mbështetësit kryesor të komunitetit, familjeve dhe individëve. Në veçanti roli i psikologut është shumë i rëndësishëm. Shëndeti i mendor është po aq i rëndësishëm sa edhe shëndeti fizik, sa me shpejt që e kuptojmë këtë aq me shpejt do të mund t’i jepnim rëndësinë e merituar shëndetit mendor të popullatës tonë, edhe ashtu mjaftueshëm e cenueshme nga shumë probleme të tjera, përpos pandemisë aktuale.

(Autorja është psikologe)