Lajme

Minxhozi: Kriza është krijuar me ‘dorën’ e Beogradit, nuk do paqe dhe stabilitet në veri

05/27/2023 18:51
nga:Astrit Gashi

Analisti Skënder Minxhozi theksoi se pasojat që kanë lënë tensionet e djeshme në veri të Kosovës si edhe reagimi i ashpër i ndërkombëtarëve do të shihet në ditët në vazhdim. Në një intervistë për ABC News, ai shtoi se në krizën e fundit ka ‘dorë’ edhe Beogradi pasi nuk do stabilitet në veri.

“Peripecitë serbo-kosovare na kanë mësuar që logjika e pritshmërive të mëdha dhe e zhgënjimeve të mëdha është e tillë se ato qëndrojnë shumë pranë njëra-tjetrës. Këto vende kanë bërë deri tani disa lloj kthesash vërtet spektakolare në dialogun mes tyre.

Problemi është se si do të korrigjohet ajo që Sarrazin e quajti sot me të drejtë një budallallëk që ka ndodhur orët e fundit, i cili sipas tij, nuk duhet të prishë marrëveshjen e Ohrit si dokumentin bazë që duhet të drejtojë raportet mes Beogradit dhe Prishtinës.

Se si do të korrigjohet kjo dhe çfarë pasojash do të ketë lënë instalimi i kryetarëve me forcën e policisë, do të duhet ditët e ardhshme. Tonet që amerikanët kanë përdorur kësaj radhe ndaj kësaj krize janë jo vetëm të ashpra por për fatin e keq të Kurtit janë edhe të çbalancuara.

Sepse po tregohet me gisht pala kosovare dhe jo serbe, e cila ka faje shumë të rënda dhe përgjegjësi të vjetra dhe të reja në këtë krizë, e krijuar edhe me dorën e Beogradit pasi nuk do paqe dhe stabilitet në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.”, theksoi analisti.