Lajme

“Ministria e Jashtme s’mund të kthehet në autoshkollë ku ustai kërkon të mësojë “gjeniun” si të ndryshojë kufijtë”

01/12/2019 11:11
nga:Gazeta Blic

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka vazhduar debatin rreth mosdekretimit të kosovarit Gent Cakajt si ministër të Jashtëm të Shqipërisë, që ia kërkoi kryeministri Edi Rama.

“Sot, në momente të rëndësishme të sfidave tona rajonale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë nuk mund të kthehet në autoshkollë ku ustai i madh kërkon të mësojë “gjeniun” si të ndryshojë kufijtë e të gjithë Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Meta në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Tutje, Meta shkruan se Partia Socialiste ka kapacitete të jashtëzakonshme në fushën e politikës së jashtme dhe Shqipëria ka shumë diplomatë të sprovuar, të cilët mund të vendosen në drejtimin e politikës sonë të jashtme, pa kaluar nga autoshkolla e ndryshimit të kufijve në gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Shqipëria do jetë gjithmonë faktor paqe e stabiliteti në rajon. Shqipëria do ketë një lidership të besueshëm edhe në kryesimin e OSBE-së. SHQIPËRIA E PARA”, ka shkruar Meta.