Lajme

Ministri danez i Drejtësisë në PDK, Krasniqi: Pas burgjeve, nevojitet bashkëpunim në ekonomi, arsim e shëndetësi

09/26/2024 20:35
nga:Sh R

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Peter Hummelgaard ka vizituar edhe Partinë Demokratike të Kosovës.

Lajmin është bërë i ditur nga kryetari i PDK-së. Memli Krasniqi.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se Kosova dhe Danimarka kanë një histori tejet të mirë të partneritetit të ndërsjellë.

“Përveç bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, përmes Traktatit Kosovë- Danimarkë, i cili parasheh shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, të dy vendet tona duhet të thellojnë bashkëpunimin përmes marrëveshjeve bilaterale edhe në fushën e zhvillimit ekonomik, arsimit dhe shëndetësisë.”, ka shkruar Krasniqi.

Ai tha se Kosova do t’i jetë përherë mirënjohëse Danimarkës për kontributin domethënës në të gjitha etapat e shtetndërtimit.