Opinion

Mini-schengen nuk është zgjidhja ideale, por…

11/12/2019 00:11
nga:Agon Maliqi

Agon Maliqi

Mini-schengen nuk është zgjidhja ideale, madje mund të jetë problematike me praktikat abuzive të Serbisë.

Por marrë parasysh rrethanat ku rajoni ynë (i madh sa Rumania) me barrierat e sotme nuk është konkurues për investime dhe nuk ka perspektivë europiane, Kosova nuk duhet ta izolojë veten dhe të jetë palë që rri dhe vajton vetëm duke thënë jo për gjithçka, por të jetë pjesë e procesit të negociimit dhe t’i vendosë kushtet e veta rreth të cilave mund të gjejë mbështetje, sepse nuk është vetëm Serbia aty. Rajon tjetër prej këtij nuk kemi dhe nuk mund të zhvendosemi në Baltik. Fundja, do të ishim në një treg me shqiptarët në rajon. Kushtet mund të jenë këto.

1) Kosova në këtë projekt në asnjë rrethanë nuk mund të trajtohet në formë asimetrike por vetëm si palë e barabartë. Kosova mund të kërkojë garanci prej shteteve në rajon që kanë interes prej konsolidimit të shtetësisë sonë se nuk do ketë nënshkrim të tyre pa përmbushjen e këtij kushti dhe se do të ketë mekanizma të qartë ligjorë për sanksionimin e Serbisë në rast të shkeljeve.

2) Tregu rajonal nuk duhet të jetë zëvendësim për tregun europian por vetëm hap i ndërmjetëm. Kosova duhet të gjejë aleatë në rajon dhe të insistojë që të ndiqet propozimi i European Stability Initiative nga Berlini që shteteve tona në afat sa më të shpejtë t’i mundësohet qasje në tregun e BE përmes anëtarësimit në Zonën Ekonomike Evropaine (si Norvegjia), deri në momentin kur të rihapet mundësia për anëtarësim të plotë.

3) Tregu rajonal mundësisht ta pëfshijë edhe Turqinë apo edhe të ketë marrëdhënie speciale me të për të krijuar kundërpeshë ndaj fuqisë së Serbisë në treg. Për këtë gjë Kosova mund të gjejë mbështetje prej Shqipërisë dhe Bosnjes.

4) Tregu rajonal ta përjashtojë qarkullimin e kapitalit që është nën sanksionet e SHBA dhe BE dhe të ketë klauzola të qarta të sigurisë kombëtare, gjë për të cilën Kosova mund të gjejë mbështetje prej vendeve të NATO-s në rajon.

Për të gjitha këto dhe shumë të tjera Kosova mund të negociojë dhe t’i mbrojë interesat e saja. Por fatkeqësisht si gjithmonë nga mungesa e iniciativës dhe aftësisë për t’i artikuluar interesat jemi kapluar nga pasiguria adoleshente dhe nga komoditeti i pozicionit të viktimës.

(Titulli është vendosur nga redaksia e Gazeta Blic)