Lajme

Kusari pro mocionit për rrëzimin e qeverisë, thotë se PSD-ja e ndihmuan ketë qeveri që të mos rrëzohet

07/14/2019 14:16
nga:Y I

Kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se do të votojë mocionin për rrëzimin e Qeverisë, pasi sipas saj, kjo Qeveri për të mirën e vendit dhe të qytetarëve duhet të shkojë në shtëpi.

Kusari në një intervistë për KosovaPress, ka folur edhe për koalicionin qeverisës, dialogun me shtetin serb, bashkëpunimin opozitar dhe taksën e vendosur ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

Ajo ka numëruar disa nga arsyet pse Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, duhet të rrëzohet me anë të mocionit, teksa ka thënë se ky koalicion qeverisës nuk ka potencial për të bërë reforma të mirëfillta të shtetit.

Ajo thotë që synimi i partive në pushtet është zhvatja sa më e madhe e pushtetit dhe nxjerrja e privilegjeve. Sipas saj, kjo qeveri ka zgjatur deri tani për shkak të përçarjeve në opozitë, meqë sipas saj nëse opozita do të ishte e unifikuar dhe koordinuar, shumë më herët do të kishte zgjedhje.

Sipas Kusarit-Lila, partnerët e koalicionit qeverisës janë të bashkuar vetëm rreth interesit të tyre, dhe jo për shtyrje përpara të interesave të vendit.

Kusari ka deklaruar se opozita e tanishme mund të jetë Qeveria e ardhshme vetëm në rast se ndërtohet mbi parime të njëjta, të përbashkëta dhe të qarta.

Qeveria e ardhshme sipas saj e ka një detyrë tepër serioze, por tepër të rëndë. Ajo deklaron se Qeveria e ardhshme duhet ta kuptojë që me qeverisë nuk është vetëm privilegj, por është përgjegjësi., derisa thotë se papërgjegjësia e kësaj Qeverie e rrit përgjegjësinë e Qeverisë së ardhshme.

Nëse vazhdon kjo situatë, ajo thotë se do të përballen me një depopullim të Kosovës dhe të humbjes së shpresës për ata që janë në Kosovë.