24 vjet pas përfundimi të luftës, mbi 1600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur, raporton Gazeta Blic.
Në mesin e tyre ka gra, fëmijë e pleq, e ku familjarët e tyre nuk dinë asgjë se ku mund të jenë varrosur e zhvarrosur trupat e tyre.
Serbia gjatë kohës së luftës në Kosovë kishte vrarë e masakruar mijëra civilë të pafajshëm e ku më pas trupat e tyre me kamion i kishte dërguar në lokacion të ndryshme në territorin serb.
Ndër vite, Serbia sa herë që kishte presion ose ndonjë favor nga Bashkimi Evropian apo Shtete e Bashkuara të Amerikës, tregonte lokacione të ndryshme për trupat e shqiptarëve të vrarë, e ku pas gërmimeve, trupat e pajetë ktheheshin në Kosovë përmes pikës kufitare në Merdare.
Në pothuajse tri vitet e fundit asnjë lokacion i ri apo gërmim për 1600 personat e zhdukur nuk ka ndodh as në Serbi e as në Kosovë.
Nga kjo shifër totale llogariten të jenë 1 mijë trupa të shqiptarëve të vrarë, ndërsa të tjerët dyshohet se janë serb, rom, egjiptas dhe ashkalinjë.
Por krejt çka ka ndodhur për personat e pagjetur gjatë kohës së luftës, së fundmi, është një deklaratë që Kosova dhe Serbia janë dakorduar për këtë çështje.
Të dyja palët janë pajtuar për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe ndjekjen e gërmimeve.
Por, familjarët që pas 14 vitesh ende nuk di asgjë për fatin e më të dashurve të tyre, janë skeptik dhe të zhgënjyer me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës dhe Beogradit zyrtar për çështjen e deklaratës për zbardhjen e fatit të të zhdukurve gjatë kohës së luftës.
Milaim Zekës, gazetarit shqiptar, të cilit forcat paramilitare serbe i kishin vrarë nënën gjatë kohës së luftës, në një rrëfim për “Expose” e ka quajtur fyese për familjarët Deklaratën për të Pagjeturit që u pajtuan Kosova dhe Serbia në takimin e fundit më 2 maj në Bruksel.
Fyese sipas tij, është se gjetja e trupave për të më dashurit e tyre është krejtësisht çështje humane dhe assesi nuk duhet të trajtohet si çështje politike.
“Ajo është vetëm një lojë e fjalëve, nën dy fyerje për të gjithë neve që i kemi familjarët tanë të zhdukurit, nuk gjendet kufomat e familjarëve tanë me deklarata të tilla të fëlliqta. Albin Kurti po ndjek retorikën e Vuçiqit, Vuçiqi rrejti që e bëmë një marrëveshje për të pagjeturit serbë në Kosovë që është rrenë, se kurrë s`ka për t`i gjetur… edhe Albin Kurti rrejti kur tha se bëmë marrëveshja, e edhe Vuçiqi. Me dashtë ai të ofrojë informacione moti ishte zgjedhur kjo punë, kjo është marrëveshje politike, kufomat e më të dashurve tanë hyjnë në kuadër të marrëveshjeve politike, kjo është një marrëveshje humane, teknike. Me pas dashur të dyja palët moti ishte zgjedhur kjo punë”, thotë Zeka për emisionin “Expose”.