Lajme

Miftaraj për Trendafilovën: Organizimi i dy konferencave në Prishtinë dhe Mitrovicën Veriore i ka dhënë karakter etnik dhe politik vizitës së saj

09/07/2021 19:32
nga:Q R

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ka qëndruar sot për vizitë në Prishtinë, ku në një konferencë për medie ka folur për mandatin, punën dhe zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), shkruan Gazeta Blic.

Lidhur me këtë konferencë ‘Gazeta Blic’ ka kontaktuar me Drejtorin ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, i cili vlerëson se organizimi i dy konferencave në Prishtinë dhe Mitrovicën Veriore, i ka dhënë karakter etnik dhe politik vizitës së saj.

“Takime të tilla të gjykatës me media dhe shoqërinë civile promovojnë transparencën dhe llogaridhënien në raport me publikun në Kosovë. Gabim apo veprim i gabueshëm i kryetarës së kësaj gjykate është organizimi i dy konferencave një në Prishtine dhe një në Mitrovicën Veriore duke i dhënë karakter etnik dhe politik vizitës së saj. Fatkeqësisht e njejta nuk kishte një shpjegim lidhur me pyetjet që iu parashtruan lidhur me këtë”, thotë Miftaraj

Duke folur për ecurin e konferencës, Miftaraj thotë se, Trendafilova është dashur të adresonte edhe lëshimet e kësaj gjykate lidhur me dokumentet konfidenciale që kanë rrjedhur nga kjo gjykatë, e që sipas tij, kjo përmban skandal në vete.

Ai shton, se e njëjta nuk ishte në gjendje të ofroj afate kohore se kur mund të pritet që të përfundojnë rastet që janë në procedurë, e as se kur mund të jetë afati i fundit kur mund të dorëzohen aktakuzat e reja dhe të fundit që lidhen me krime lufte.

“Kryetarja e gjykatës sot do të duhej të adresonte edhe lëshimet e kësaj gjykate lidhur me dokumentet konfidenciale që kanë rrjedhur nga kjo gjykatë, që përbën skandal në vete, e që cenon rëndë integritetin dhe kredibilitetin e saj. Dhe krejtë në fund, e njejta nuk ishte në gjendje të ofroj afate kohore se kur mund të pritet që të përfundojnë rastet që janë në procedurë e as se kur mund të jetë afati i fundit kur mund të dorëzohen aktakuzat e reja dhe të fundit që lidhen me krime lufte, duke huthur topin tek prokuroria”, deklaron ai.

Trendafilova, përmes kësaj konference bëri të ditur se Gjykata Speciale do të jetë funksionale deri në atë kohë kur Këshilli i Evropës do të njoftojë se të gjitha procedurat hetimore apo para Dhomave të Specializuara të Kosovës do të kenë përfunduar.

“Dhomat e Specializuara do të jenë funksionale deri në atë kohë kur Këshilli i Evropës do të njoftojë Republikën e Kosovës se të gjitha procedurat hetimore apo para Dhomave të Specializuara të Kosovës do të kenë përfunduar. Siç e kanë bërë të qartë Dhomat e Specializuara dhe kanë theksuar në vendimin e tyre të 20 nëntorit të vitit të kaluar kjo do ta bie në fund punën e Dhomave të Specializuara”, u shpreh Trendafilova.

Trendafilova tregon pse do ta vizitojë nesër Mitrovicën