Lajme

‘Mexha’ ua mori jetën 32 personave për një vit në Kosovë

05/25/2019 17:56
nga:A. R.

“Megja” është bërë shkaktare e shumë vrasjeve në Kosovë në të kaluarën e po vazhdon edhe në ditët e sotme.

Shumë familje nuk po presin drejtësinë, por po e vendosin vet, edhe atë përmes konflikteve që po përfundojnë me vrasje.

Vetëm këtë vit, dy vrasje ndodhën për shkak të pronës apo kontesteve pronësore.

Njëra ndodhi në fshatin Marmull të Gjakovës, ku i vdekur mbeti Tun Bezhi, 40 vjeçar, ndërsa, vrasja e fundit ndodhi fshatin Sadovinë të Vitisë, ku 59-vjeçari Muhamet Ismaili u rrah për vdekje nga kushërinjtë.

Policia e Kosovës rastet e vrasjeve i trajton duke u bazuar në ligjet e aplikueshme në vend dhe në konsultim me Prokurorinë kompetente ndërmerr të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për kompletim dhe procedim të rasteve tek organet kompetente.

Në një përgjigje me shkrim për Indeksonline, ata bëjnë të ditur se vitin e kaluar kanë ndodhur gjithsej 32 raste të vrasjeve për problemin e njëjtë.

“Ne në vazhdimësi kemi ndërmarr veprime konkrete për parandalim qoftë përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme apo që mund të qojnë tek kryerja e akteve të tilla. Duke ju referuar të dhënave në Policinë  e Kosovës për rastet nga Neni 178 ‘Vrasje’, për vitin 2019 nga data 01.01.2019 deri 06.05.2019 janë evidentuar gjithsej 2 vrasje. Ndërsa në vitin 2018 kemi pasur gjithsej 32 raste të vrasjeve”, thuhet në përgjigjën e tyre.

Se ka shumë raste që familjet janë në konteste pronësore, për cka edhe po ndodhin vrasje, tregojnë edhe statistikat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Të pyetur nga Indeksonline, në një përgjigje me shkrim i kanë dërguar numrin e rasteve të kontesteve pronësore e që dalin të jenë kogja shumë.

Numri total i të gjitha llojeve të kontesteve që gjenden nëpër gjykatat e Kosovës e që ende nuk janë zgjidhur është 44 mijë e 213 lëndë.

Në mesin e tyre janë edhe kontestet pronësore të pazgjidhura e që janë 9 mijë e 177 lëndë “vërtetim i pronësisë’.