Opinion

Metodologjia e matjes së stresit, efektet në motiv dhe performancë në organizatat publike dhe private në Kosovë

07/17/2018 14:01
nga:Sejdë Tolaj

Shkruan: Sejdë Tolaj/PhD

Gjatë dekadave të fundit, stresi po shfaqet si një problem në rritje në organizata e kompani.  Vendi i punës është bërë gjithnjë e më shumë vend i forcave që ndryshojnë shpejt, si rritja e konkurrencës, presioni i cilësisë, inovacioni dhe rritja e ritmit të bërjes biznes. Si rezultat edhe kërkesat për punonjësit janë rritur në mënyrë dramatike dhe kjo ka çuar në krijimin e stresit brenda punonjësve. Për më tepër, është identifikuar se këto trende paraqesin një kërcënim për shëndetin mendor të punëtorëve, pasi që kërkesat gjithnjë e më të larta po sfidojnë funksionet mendore të punëtorëve dhe po shkaktojnë nivele të larta të shqetësimeve psikologjike.

Pavarësisht nga rritja e vetëdijes mbi rëndësinë e kësaj teme dhe nga numri në rritje i hulumtimeve mbi stresin dhe metodologjinë e matjes së stresit në punë, vazhdojnë të ekzistojnë boshllëqe të mëdha empirike, sidomos në Kosovë, ku kjo temë është eksploruar fare pak. Prandaj, duke parë nevojën për shqyrtimin e mirëfilltë të kësaj teme, ky hulumtim është përpiqur të japë kontribut shkencor mbi përhapjen e stresit nëpër organizatat në Kosovë dhe të identifikojë faktorët që perceptohen si stresues në mesin e të punësuarve në sektorin publik dhe privat. Për të arritur këtë, në kuadër të këtij disertacioni, është aplikuar një metodologji e matjes së stresit të përjetuar nëpër organizata si dhe janë studiuar efektet që ka stresi në motivim dhe performancë të të punësuarve.

Ky disertacion ka treguar se ekzistojnë një sërë faktorësh stresues në organizata dhe menaxherët në organizata të ndryshme duhet të ndërmarrin ndërhyrje specifike për të menaxhuar stresin e punonjësve të tyre. Gjetjet e këtij punimi sugjerojnë se stresi në punë kryesisht shkaktohet nga pasiguria në vendin e punës, mungesa e informimit rreth zhvillimeve në organizatë, mbingarkesa në punë, trajtimi joadekuat nga punëdhënësi, marrëdhëniet destruktive në mes kolegëve, mungesa e kushteve elemantare të punës dhe burimet e pamjaftueshme. Gjetjet gjithashtu shpërfaqin se stresi në vendin e punës ndikon negativisht në organizatë, veçanërisht në uljen e performancës të punonjësve, pra reduktimin e efikasitetit të punës, si dhe në rënien e motivimit të tyre. Më tutje, rezultatet tregojnë se punonjësit e sektorit publik dhe privat vlerësojnë faktorët e njëjtë si stresues si dhe përjetojnë nivele relativisht të ngjashme të stresit.

Bazuar në gjetjet nga të dhënat primare të mbledhura me anë të hulumtimit, si dhe në të dhënat sekondare nga literatura e huaj, rekomandohet të ndërmerren teste periodike të matjes së stresit dhe nivelit të stresit si një linjë veprim standard i vlerësimit të stresit nëpër institucionet publike dhe kompanitë Kosovare; të angazhohet niveli i lartë menaxherial i organizatave në ri-dizajnimin e vendeve të punës, duke siguruar rritjen e autoritetit të vendimmarrjes së punëtorëve, uljen e ngarkesës së punës, uljen e konfliktit të rolit, si dhe ofrimin e trajnimeve të vazhdueshme; t’u kushtohen më shumë vëmendje dhe të punohet më konkretisht drejt ofrimit të hapësirës adekuate të punës, e cila siguron ndriçimin, higjienën dhe qarkullimin e duhur të ajrit; funksionimin e duhur të pajisjeve dhe rekuizitave; vend të rehatshëm për punë, pa zhurmë dhe ndërprerje; të organizohen programe të veçanta, si seminare e trajnime, mbi stresin dhe menaxhimin e stresit, në mënyrë që të edukohen dhe vetëdijesohen stafi por edhe menaxhmenti mbi shkaktarët dhe efektet negative të stresit nga puna, posaçërisht në shëndetin fizik dhe psikologjik të punonjësit; të inkurajohet një kulturë e komunikimit të hapur në mes menaxhmentit dhe stafit në lidhje me stresin, mirëqenien dhe shëndetin mendor, në mënyrë që punonjësit të ndjehen të lirë të flasin për stresin në punë dhe që të identifikohen format më të përshtatshme të ndërhyrjeve dhe menaxhimit të stresit; të ofrohen intervenime në formë të këshillimeve, grupeve mbështetëse dhe programeve të asistencës së punonjësve që veçse vuajnë nga efektet e stresit; të dizajnohen dhe ofrohen hapësira të veçanta në punë, si kafiteri, salla fitnesi dhe dhoma pushimi, të cilat ndihmojnë punonjësit që të relaksohen dhe kështu të ulin nivelin e stresit.