Opinion

Mësim i nxjerrë nga COVID-19: gratë më të suksesshme në qeverisje

Lorik JLorik J

Shkruan: Dr.sc. Violeta Zefi

Akoma mbeten shumë paqartësi lidhur me pandeminë COVID-19. Në të njëjtën kohë, ka pasur shumë diskutime sa i përket asaj sesi kanë reaguar shtetet në menaxhimin e pandemisë. Diskutime të tilla bëhen edhe sot dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Mirëpo, ajo që tashme është evidentuar në mbarë botën është fakti se gratë udhëheqëse janë treguar shumë më të suksesshme në qeverisje dhe menaxhim të pandemisë COVID-19, se sa burrat. Duhet të theksohet se ende nuk ka një studim shkencor dhe multidimensional për të mbështetur këtë pohim me metoda rigoroze shkencore dhe argumente të stërholluara akademike, mirëpo mbetet i pamohueshëm fakti se gratë udhëheqëse, të paktën deri me tani, kanë spikatur në menaxhimin e pandemisë.

Nga Gjermania në Zelandën e Re; nga Danimarka në Islandë; nga Norvegjia në Tajvan e Finlandë, gratë udhëheqëse kanë treguar qartësi në marrjen e vendimeve si dhe kanë projektuar dhe zbatuar politika konkrete dhe efikase në menaxhim të COVID-19. Të gjitha këto gra kanë shfaqur një aftësi të përbashkët: ato janë treguar të zonja të bashkojnë publikun e gjerë dhe njëkohësisht dhe t’i bëjnë njerëzit të interesohen për rëndësinë e ndryshimit të sjelljeve të tyre në rutinën e përditshme, për të ndihmuar në mospërhapjen e virusit. Për me tepër, ato janë treguar të ndjeshme, komunikuese, të forta dhe kanë shfaqur solidaritet ndaj qytetarëve. Sipas ish-Sekretares së Shtetit Amerikan, Madeleine Albright, një ndër arsyet e këtij suksesi të grave në qeverisje është edhe fakti se ato janë në gjendje që të kryejnë njëherësh dhe paralelisht shumë punë (multitasking). Kjo, në fakt, grave ju vjen natyrshëm. Sipas, Albright, cdo ditë ato duhet të koordinojnë dhe menaxhojnë punë që lidhen me mirëmbajtjen e shtëpisë, kujdesin ndaj fëmijëve dhe anëtarëve të tjerë të familjes, aktiviteteve në punë e karrierë etj. Këto cilësi, e shumë të tjera, shpërfaqin faktin se këto gra kanë afinitet në udhëheqje politike dhe, përse jo, na japin të kuptojmë se gratë duhet të zënë më shumë pozita vendimmarrëse.

Përderisa shumë shtete kaluan në fazën e mohimit të virusit dhe mungesës së transparencës totale në raport me rastet e identifikuara, shtetet e udhëhequra nga gratë treguan vendosmëri dhe ndërmorën masa të shpejta të cilat rezultuan efikase në menaxhim të pandemisë. Shembull i mirë në këtë drejtim u tregua Tajvani. Kryeministra Tsai Ing-Wen menaxhoi atë që CNN e ka quajtur “ndër reagimet më të mira në botë”, duke e mbajtur nën kontroll epideminë dhe duke raportuar raste të ulëta të vdekjeve. Po ashtu, Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, dhe homologia e saj islandeze, Katrín Jakobsdóttir, kanë marrë vlerësime të konsiderueshme – dhe të merituara – për mënyrën se si ato kanë qeverisur gjatë krizës së COVID-19.
Sipas një studimi kuantitativ të realizuar në 35 shtete të ndryshme nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, shtetet që kanë gra në pozita udhëheqëse përjetuan 6 herë me pak vdekje të konfirmuara nga COVID-19, sesa shtetet që udhëhiqen nga burrat. Numri mesatar i ditëve të njëpasnjëshme me vdekje të konfirmuara në shtetet e qeverisura nga gratë doli të jetë 34, kurse në shtetet e qeverisura nga burrat ishte 48. Sipas hulumtuesve që udhëhoqën këtë studim, janë identifikuar vlera të ngjashme dhe qasje të përafërta krahasuese në mes të shteteve që qeverisen nga gratë. Këto elemente karakterizohen nga konsultime të shpejta dhe në kohë me institucionet relevante shëndetësore në vend, me ekspertë dhe këshilltarë, si dhe fillimin e zbatimit të masave parandaluese në mënyrë të menjëhershme dhe pa humbur kohë. Në anën tjetër, shumica e shteteve të udhëhequra nga burrat u vonuan në marrjen e masave, në disa raste duke e injoruar krejtësisht kërcënimin që vinte nga pandemia.

Liderët gra të të gjitha shteteve mbajtën kontakte të vazhdueshme dhe drejtpërdrejta më qytetarët. Ato treguan ndjeshmëri me të madhe, sidomos ndaj fëmijëve. Kryeministrja e Norvegjisë, Erna Solberg, kishte idenë inovative të përdorimit të televizionit për të biseduar drejtpërdrejt me fëmijët e vendit të saj. Ajo iu përgjigj pyetjeve të fëmijëve nga i gjithë vendi, duke u shpjeguar se nuk kishte asgjë të keqe të qenit i frikësuar, duke ju dhënë atyre shpjegime të detajuara se si duhet të mbrohemi nga infektimi. Në përgjithësi, empatinë dhe kujdesin me të cilin kanë komunikuar të gjitha këto gra udhëheqëse nuk e kemi parë shpesh, që të mos të themi fare, tek liderët burra. Këta të fundit, në disa shtete, kanë treguar mungesë totale lidershipi dhe me tepër janë fokusuar në fajësimin e të tjerëve. Si duket, udhëheqësit politik burra kanë çka mësojnë nga liderët gra. Të paktën, e kanë këtë mundësi.

Është interesant të theksohet fakti se shtetet e qeverisura nga gratë shfaqën rezultate më të mira sa i përket edhe reziliences dhe rimëkëmbjes ekonomike. U dëshmua se përballja me krizën ishte më e lehtë dhe recensioni ekonomik pritej të ishte më i ulët në këto shtete. Projeksionet e rritjes së GDP-së tregojnë se për vitin 2020 shtetet e udhëhequra nga gratë, e që u goditën nga pandemia, do të kenë rënie ekonomike me më pak se 5.5%, kurse shtetet e udhëhequra nga burrat do të zvogëlohen me 7%.

Konsiderohet se gratë përbëjnë më pak se 7% të liderëve në botë. Kështu, fakti që kaq shumë kanë dalluar në menaxhim e qeverisje gjatë krizës COVID-19 është diçka e rëndësishme të evidentohet. Prandaj, grave duhet krijuar me shumë hapësirë për pozita të tilla. Shumë mësime nxorëm dhe vazhdojmë të nxjerrim nga pandemia COVID-19. Njëra prej tyre është se gratë janë liderë më të mira.