Sporti

Mesfushori i Inter d’Escaldes: Kemi ekip të shkëlqyeshëm, na pret një ndeshje historike ndaj Dritës

07/25/2020 19:38
nga:Lorik J

Skuadra e Dritës pasi u shpall kampione në Superligën e Kosovës në futboll, ka siguruar pjesëmarrjen në fazën e parakualifikimeve për Ligën e Kampionëve.

Drita fitoi Superligën e Kosovës në mesjavë, kur Gjilani e ndali me barazim Ballkanin (2:2) dhe ia siguroi edhe matematikisht “Intelektualëve” titulline e tretë në histori të klubit, shkruan GazetaBlic Sport.

Skuadra e Dritës do të këtë përballë Inter Club d’Escaldes në ndeshjen gjysmëfinale të parakualifikimeve të Ligës së Kampionëve për edicionin 2020/21.

Inter Club d’Escaldes është kampion i Andorrës, ndërsa këtë edicion ata e fituan titullin për herë të parë në histori të klubit, që nënkupton se do të jetë hera e parë për ta që do të luajnë në kompeticionin më të madh evropian të futbollit.

Mesfushori i Inter d’Escaldes, Emili Garcia ka theksuar se kjo është një sfidë historike për Interin, pasi është hera e parë për ta në Champions League.

“Po, është një ndeshje historike për Interin, sepse është titulli ynë i parë në Kategorinë e Parë dhe hera e parë që luajmë në Champions. Jemi shumë të lumtur, me shumë emocione të mira. Të gjithë lojtarët dëshirojnë të luajnë në Champions. Rreth Dritës nuk di shumë, vetëm e di se Drita është kampionja e Kosovës”, tha fillimisht Garcia për GazetaBlic Sport.

Më pas, 31 vjeçari theksoi se nuk di shumë për Dritën, por potencoi pikat e forta të skuadrës së tij.

“Në Inter, kemi lojtarë të shkëlqyeshëm. Ne krijuam një ekip të shkëlqyeshëm, një grup të mirë të lojtarëve. Kjo është përparësia jonë kryesore. Në lidhje me favoritin mund të them se kjo është një ndeshje futbolli, ne jemi 11 kundër 11. Ne dimë të luftojmë, të vrapojmë dhe të bëjmë përpjekje për çdo top”, përfundoi Garcia.

Emili Garcia luan në pozicionin e mesfushorit qendror tek Inter i Andorrës, ndërsa këtë edicion ka luajtur në 18 sfida – ku në katër prej tyre është ndëshkuar me karton të verdhë.

Garcia është ndër lojtarët më me eksperiencë tek klubi kundërshtar i Dritës, pasi ka luajtur në 48 ndeshje me kombëtaren e Andorrës – ku ka shënuar një gol.

Vlen të theksohet se Drita do të takohet me Inter Club d’Escaldes me 8 gusht – në stadiumin Colovary në Nyon të Zvicrës.

/GazetaBlicSport/