Lajme

Mesazhet për Trumpin dhe Grenellin – mësohet përmbajtja e shkrimit të Albin Kurtit në gazetën gjermane

03/06/2020 22:43
nga:Gazeta Blic

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar një editorial për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, rreth arritjes së një marrëveshjeje për paqe me Serbinë.

Në këtë editorial, që do të botohet në numrin e nesërm të gazetës gjermane, Kurti shkruan se është mirë të arrihet një marrëveshje e shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe më mirë është një marrëveshje e mirë.

Duke i dërguar mesazh presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe të dërguarit të posaçëm të tij për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, Kurti ka shkruar se marrëveshjet e arritura “me detyrim dhe kërcënime” dhe jo duke u bazuar në respektin e ndërsjellë nuk kanë vlerë as sa letra mbi të cilën hidhen “nënshkrimet tona”.

Në editorialin e tij, Kurti është munduar të sqarojë propozimin e tij për heqjen e pjesshme të tarifës ndaj mallrave nga Serbia, diçka që Amerika e ka kundërshtuar, duke kërkuar që masa të shfuqizohet plotësisht dhe pa kushte.

“Ne duam që si shenjë të vullnetit të mirë dhe të gatishmërisë sonë për shmangien e ngatërresave politike, nga data 15 mars 2020 të heqim tarifat prej 100 për qind ndaj lëndës së parë të importuar nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina”, ka shkruar Kurti.

“Nëse pala serbe tregon vullnet të mirë, qeveria kosovare nga 1 prilli 2020 do t’i heqë plotësisht tarifat për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina për një periudhë prej 90-ditësh”, ka shtuar ai.

Kryeministri i Kosovës po ashtu ka dhënë argumentet e tij për reciprocitetin, në rast se Serbia nuk përgjigjet pozitivisht.

“Parimi i reciprocitetit, ndërkaq, ka qenë përherë parim udhëheqës i partisë sime. Po ashtu, reciprociteti si vlerë buron nga koncepti i barazisë dhe është gjithkund i pranishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. Paqja e qëndrueshme dhe barazia janë premisa udhëheqëse të qeverisë kosovare, kryeministër i së cilës jam nga fillimi i shkurtit. Respekti i ndërsjellë është i pashmangshëm për arritjen e këtyre qëllimeve, sepse vetëm kështu, një marrëveshje e mundshme mund të ketë efekte vërtet pozitive në jetën e njerëzve”, ka shkruar Kurti.

Mustafa flet për takimin Thaçi- Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë

03/27/2020 22:41

‘Lajmërohet’ Haki Abazi: Grenell ka mundësi të mos e ketë parë marrëveshjen e Vuciqit dhe Thaçit