Lajme

Mërgimtarët shpenzojnë buxhetin e tyre për të votuar, KQZ-ja nuk i del në ndihmë dhe nuk ua njeh votat

10/21/2019 17:45
nga:B. D

Profesori universitar dhe ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Mazllum Baraliu, për GazetënBlic ka komentuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në lidhje me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për numërimin e 4639 votave të diasporës të ardhura pas datës së zgjedhjeve, shkruan GazetaBlic.

Ai tha se mërgimtarët kanë zbatuar gjitha afatet ligjore për të votuar, mirëpo edhe KQZ-ja është duke respektuar ligjin, pasi që nuk mund të pranohen votat e diasporës të ardhura pas datës së zgjedhjeve, sipas tij, votat është dashur të arrijnë një ditë para zgjedhjeve.

“Mërgimtaret kanë votuar brenda afatit, por e vërteta tjetër është që kanë me u njeh pas afatit dhe sipas dispozitave të ligjit në fuqi përcakton se gjitha votat e diasporës duhet domosdoshmërisht të arrijnë një ditë më së voni para zgjedhjeve, d.m.th. është dashur të arrijnë më 5 tetor dhe ato kanë arritur më vonë”, tha Mazllumi.

“KQZ-ja nuk ka bërë keq, ka zbatuar ligjin, por është dashur të jenë kriteret e njëjta por sido që te jetë kurdo që ndërrohet ligji do duhej të bëhej një zgjidhje tjetër, por përderisa është ky ligj në fuqi nuk mund të thuhet se është shkelur ligji”, tregon Mazllumi për GazetënBlic.

Baraliu tregon se mërgimtarët paguajnë para shtesë nga vetë buxheti i tyre në mënyrë që vota e tyre të arrij në Kosovë, ndërsa çmimi varet nga shteti dhe largësia. Por, KQZ-ja nuk ua mbulon shpenzimet e mërgimtarëve për të votuar.

“Çmimi varet nga shteti, shtetet më të largëta kanë çmimin më të lartë, shtetet që janë më të avancuara çmimet u dallojnë por u kushtojnë, kjo ka mundur të bëhet përmes konsullatave që mërgimtarëve të mos u kushtoj”, tha ai.

Baraliu tha se mërgimtarët tani mund të ndjehen të zhgënjyer nga mosnumërimi i votave dhe shprehet se entuziazmi i tyre për të votuar në të ardhmen do të jetë më i zbehtë.

“Mërgata është e zhgënjyer sepse kanë kryer gjitha detyrat, kanë humbur kohë duke dashur të ndihmojnë vendin e tyre dhe kanë kryer detyrën qytetare, por vota e tyre nuk u njihet dhe janë sikurse vota të pavlefshme”, tha Baraliu.

Ai tha se KQZ-ja është dashur të u ofroj lehtësira mërgimtarëve që të votojnë në ambasadat e Kosovës dhe konsullatat.

“Do ishte dashur KQZ-ja të insistoj gjatë këtyre viteve që të jetë mundësia edhe MPJ-ja të ua mundësoj qytetarëve të votoj në konsullata dhe ambasada të Kosovës që janë nëpër botë, ka ambasada të veçanta Kosova dhe konsullata, nuk i ka kriju këto kushte është dashur domosdoshmërisht të veproj që të bëj plotësim-ndryshim të ligjit dhe të u mundësohet qytetarëve të votoj pa komplikime”, tha ai.

Mazlllumi tregon se disa shtete nuk e njohin Kosovën si shtet, prandaj dhe kanë probleme me pranimin e tyre, kështu krijohen vonesa.

“Vota me postë është e komplikuar dhe nuk i është dhënë afat të mirë atyre që të mbërrijnë me kohë sepse postat kanë probleme, ajo e Kosovës dhe Serbisë nuk e njohin njëra-tjetrën dhe posta jonë në shumë vende nuk njihet dhe votuesit nuk kanë faj për këto probleme”, tha Baraliu.

“KQZ-ja nuk ka bërë asnjë punë në vlerë për të avancuar dhe të përgatitet për procesin zgjedhor dhe sistemin legjislativ dhe procesin e votimit për të bërë reforma në mënyrë që votës së diasporës t’i lihet afate më të gjata që të arrij me kohë”, shton ai për GazetënBlic.