Lajme

Mërgimtarët ia mësyjnë rrugës për Kosovë, bllokohen në kolona deri në 9 kilometra

05/30/2020 09:49
nga:A. R.

Mërgimtarët nga Kosova kanë bërë të ditur se në orët e para të mëngjesit të sotëm, janë krijuar kolona të gjata në tunelin që lidhë Slloveninë me Austrinë. Sipas tyre kolona është e gjatë mbi 6 kilometra.

Dje Metro ka raportuar që një numër i madh i mërgimtarëve kanë dalë nga Kosova, duke mos pasur fare problem ani pse kufijtë janë mbyllur me shtetet e rajonit. Mërgimtarët po shfrytëzojnë kufirin e Merdares, e më pas për të ndjekur rrugën Serbi-Kroaci-Slloveni-Austri, rrugë kjo që i dërgon në shtetet tjera perëndimore ku ata jetojnë.

Mirëpo ka edhe të tjerë që po vijnë nga Gjermani, Austria e vendet e tjera për në Kosovë, duke ndjekur thuajse rrugën e njëjtë.

Ata që po vijnë sot për në Kosovë kanë raportuar diçka që është e çuditshme tani për tani në këtë kohë të pandemisë. Mërgimtarët kanë njoftuar në grupin ‘Marakli t’kerreve’ se kolona për të hyrë nga Austria në Slloveni është rreth 9 kilometra

Ardhja e mërgimtarëve në këtë kohë nuk është diçka e zakonshme, duke marrë parasysh gjendjen që ka shkaktuar koronavirus. Ata duket se nuk po kanë problem as nëpër kufijtë e Kosovës, që shihet se kalojnë pa problem.

Ndërkaq Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ka njoftuar rreth orës 8:00 të mëngjesit se fluksi në pikat kufitare në Kosovë nuk është i madh dhe hyrje-daljet zgjasin nga 3 deri në 5 minuta.