Lajme

Mërgimtarët dërguan 800 milion euro në Kosovë

05/02/2019 07:11
nga:L H

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, tha se kosovarët që jetojnë në vende të ndryshme të botës po vazhdojnë të dërgojnë para në Kosovë dhe se ata janë një ndër tri shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës.

“Në vitin 2018, mërgimtarët dërguan në Kosovë 800 milionë euro dhe kjo është një rritje vjetore prej 5.5 %. Edhe 1 miliard euro janë shpenzime të udhëtimeve që ne besojmë se janë realizuar nga banorët jo rezident të Kosovës, e në këtë rast mërgimtarët. Shuma shkon deri në 1.8 miliardë euro për një vit”, tha ai në emisionin “STRIKE”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK3).

Sipas tij do të ishte mirë që remitencat do të investoheshin në zhvillim ekonomik të Kosovës dhe jo vetëm për konsum që sot po shpenzohen në Kosovë.